Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane (Këshilli Adriatiko-Jonian) dhe të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian(EUSAIR). Krahas Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Jonit, në takim mori pjesë edhe Komisionerja e BE-së për Politikat Rajonale, Corina Cretu.
Takimi u organizua në Dubrovnik nga Kryesia kroate e nismës, që kishte në fokus vlerësimin e ecurisë së Strategjisë që prej miratimit të saj nga Këshilli në tetor 2014, dhe përcaktimin e drejtimeve për avancimin e saj.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati theksoi se: "me Strategjinë EUSAIR, ne kemi ndërmarrë një hap cilësor në bashkëpunimin rajonal të pellgut të Adriatikut dhe Jonit. Qasja makro-rajonale përbën për rajonin tonë një model të ri të qeverisjes shumë-nivelëshe, që sjell së bashku institucionet e BE-së, vendet e rajonit në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, partnerë ekonomiko-socialë dhe organizata të shoqërisë civile".
Kjo Strategji është një hap i rëndësishëm për integrimin e plotë të ekonomive tona në tregun unik të BE-së. Për të arritur këtë objektiv, ky rajon gjeografik, përgjatë hapësirës Adriatiko-Joniane duhet të kthehet në një rajon ekonomik, në mënyrë që të arrihet vazhdimësia e shkëmbimeve në Evropë. "Në situatën aktuale të sigurisë, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor nuk duhet ta përjetojnë ndërvarësinë si një kërcënim, por si një mundësi", theksoi Ministri Bushati.
Midis prioriteteve të EUSAIR, Ministri theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë përmirësimi i ndërlidhjes në fushën transportit dhe energjisë, duke veçuar Autostradën Adriatiko-Joniane dhe Gazsjellësin Adriatiko Jonian (IAP).
Ministri Bushati nënvizoi se drejtimi nga Shqipëria dhe Kroacia i Grupit Drejtues Tematik mbi Turizmin e Qëndrueshëm do të reflektojë rëndësinë që ne i japim zhvillimit të gjithë potencialit të këtij rajoni, për një turizëm cilësor, inovativ, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Vendet tona mbeten të përkushtuara që të drejtojnë përpjekjet e përbashkëta të vendeve të rajonit për të diversifikuar produktet dhe shërbimet turistike, përkrah me marketingun e një “brand”-i të turizmit Adriatiko-Jonian.
Gjithashtu, në kuadër të këtij Ministeriali, Ministri Bushati zhvilloi takime me homologun kroat Kovač dhe atë italian Gentiloni.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë Miro Kovač, bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të posaçme bashkëpunimit preferencial dypalësh mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Mbasi vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike, çka pasqyrohet dhe në nivelin e lartë të vizitave dhe shkëmbimeve mes dy vendeve, ata u ndalën në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike.
Ministri Bushati u shpreh se: “marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe miqësore, dhe nëpërmjet kësaj klime pozitive dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin në hapësirën e Evropës Adriatike me projekte energjetike (gazsjellësit TAP, IAP dhe degëzimet e tyre) dhe infrastrukturore (korridori Adriatiko-Jonian) që do të krijojnë një realitet të ri në rajon”. Ministri Bushati theksoi hapat e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare në realizimin e reformave shtet-konsoliduese në kuadër të agjendës integruese të vendit në Bashkimin Evropian. Shqipëria e vlerëson Kroacinë si një model, e cila ka rol të veçantë në mobilizimin e vullnetit politik evropian rreth proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor.
Më pas, dy ministrat diskutuan rreth situatës në rajon dhe bashkëpunimit ndër-rajonal, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni, dy ministrat biseduan për një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh me interes reciprok, agjendën evropiane të Shqipërisë, ndërveprimin në kuadër të Procesit të Berlinit, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, sfidat e sigurisë në Mesdhe dhe koordinimin e veprimeve në rrafshin shumëpalësh.
Gjatë takimit, ata u ndalën në masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe nevojën për një koordinim më të mirë në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë.
Palët gjithashtu nënvizuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, ku Ministri Bushati e njohu homologun italian mbi masat e marra nga qeveria shqiptare në funksion të përmirësimit të frymës së biznesit ne vend.
Më tej, duke falënderuar për ndihmën e dhënë nga qeveria dhe institucionet italiane për përpjekjet tona dhe proceset integruese të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati e informoi homologun italian për zhvillimet politike në vend, prioritetet dhe reformat e ndërmarra, duke shprehur bindjen se mbështetja e pakushtëzuar e Italisë mike do të vijojë edhe në koordinimin e përpjekjeve për hapin e ardhshëm, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim.
Ministri Bushati shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe me Italinë si një aleat strategjik i natyrshëm, me lidhje të ngushta e të veçanta si dhe rëndësinë që ka Italia për Shqipërinë e shqiptarët dhe anasjelltas. Ai vlerësoi dialogun intensiv politik mes dy vendeve dhe bashkëpunimin miqësor të dëshmuar së fundmi edhe në fushën e shërbimeve konsullore.