Zhvillohet Dita e Vizitorëve të Shquar e Stërvitjes së Përbashkët "Joint Effort-16"

U zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” e Stërvitjes së Përbashkët “Joint Effort-16”. Qëllimi i kësaj stërvitjeje, e cila nisi më datën 19 shtator, është rritja e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe kapaciteteve operacionale të shtabeve dhe njësive të FA në procesin e planëzimit dhe ekzekutimit të operacioneve luftarake në mjedis të përbashkët dhe multinacional, në nivel taktik dhe operativ. Kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO në 10 vitet e fundit.



Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, komandanti i United States Army Europe, gjenerallejtënant Ben Hodges, ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman si dhe komandantët e forcave. 

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli vlerësoi se mjedisi i përbashkët i sigurisë kërkon një përqasje gjithëpërfshirëse dhe kontribute të përbashkëta, të cilat kanë nevojë për më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim si dhe për besim reciprok midis vendeve.



“Kërcënimet e sotme në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës dëshmojnë rëndësinë e mirëpërgatitjes së saj për përballimin e çdo rreziku. Për pjesëmarrësit e FARSH kjo stërvitje është në funksion të përmbushjes së detyrimeve, pasi i shërben drejtpërdrejt përgatitjes për certifikimin e grup - batalionit pas disa vitesh. Stërvitja “Joint Effort - 2016” është një mundësi e mirë jo vetëm për përmirësimin e aftësive të mirëfillta ushtarake, por edhe një mundësi e mirë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe atë dypalësh, si dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve në aspektet politike dhe diplomatike, pa lënë mënjanë dhe promovimin dhe shkëmbimet kulturore të vendeve”, tha ministrja e Mbrojtjes.



Znj. Kodheli nënvizoi faktin se kjo është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha të viteve të fundit që FARSH organizojnë bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes. 

“Dua të theksoj se përveç mbi 1500 trupave nga të gjitha forcat dhe komandat kryesore të FA, në këtë stërvitje marrin pjesë dhe 220 trupa dhe mjete ushtarake nga vendet aleate dhe partnere. Shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen e forcave nga Britania e Madhe, SHBA, Italia, të cilat janë një burim i vyer i eksperiencës dhe përvojës në fushëbetejë dhe vijojnë të mbeten dhe një instrument i rritjes së ndërveprimit me Forcat tona të Armatosura”, tha znj.Kodheli.



“Në mënyrë të veçantë përshëndes pjesëmarrjen e fqinjëve tanë nga Mali i Zi, të cilët marrin pjesë për herë të parë me statusin e vendit aleat në NATO. Duke i uruar edhe një herë në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit. Nuk mund të lë pa përmendur edhe Forcat nga Kosova, të cilët nuk mungojnë asnjëherë duke na dhënë kënaqësinë e veçantë që përveç aleatëve të kemi edhe partner po aq të përgatitur, me eksperiencë dhe dinjitozë si vëllezërit tanë kosovarë”, vlerësoi ministrja Kodheli.



Ministrja e Mbrojtjes shprehu besimin se kjo stërvitje të jetë më tepër se një mundësi e mirë për të përmirësuar aftësitë luftuese dhe aplikimin e procedurave të Aleancës ku të ndahen me njëri - tjetrin eksperiencat dhe praktikat më të mira. Njëherësh i uroi suksese “Joint Effort - 2016”.



Nga ana e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Jeronim Bazo nënvizoi se e reja e kësaj stërvitjeje është fakti se është shumëkombëshe dhe zhvillohet në vendin tonë. Bazo bëri të ditur se FA ka një batalion të gatshëm dhe të përgatitur për ta dislokuar kudo.



Ndërsa gjenerali amerikan Hodges nënvizoi se “Shqipëria është shumë e rëndësishme për Aleancën, është pjesë e rëndësishme e stabilitetit në rajon dhe po i tregon kapacitetet e veta Aleancës për operacionet”.

Stërvitja e Përbashkët e koduar “Joint Effort - 16” zhvillohet nga data 19 - 29 shtator 2016, në rajonet: Garnizoni “Skënderbej”, Zall-Herr, Bizë, Kepi i Palit, Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë. 



Në Stërvitjen “Joint Effort - 16” marrin pjesë mbi 1500 trupa nga Shtabi i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda Mbështetëse dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe trupa dhe mjete ushtarake të Forcave të Armatosura nga SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova dhe Mali i Zi.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00