Zv. Ministri Tare në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Bruksel: Shqipëria mbështet një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse në Afganistan

Më 23 - 24 mars, Ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s, zhvilluan takimin e tyre të radhës nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Ky ishte dhe takimi i parë i Ministrave aleatë i zhvilluar me prani fizike në selinë e Aleancës që prej fillimit të pandemisë aktuale. Vendi ynë u përfaqësua në këtë aktivitet të rëndësishëm nga Zëvendës Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare.   

Gjatë takimit, Ministrat e vendeve të NATO-s trajtuan çështjet kryesore me të cilat përballet aktualisht siguria transatlantike. 

Në ditën e parë ata zhvilluan diskutime të rëndësishme mbi qasjen e NATO-s në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe mbi çfarë mund të bëjë më shumë NATO për të ndërtuar stabilitet në këtë rajon. 

Ministrat aleatë diksutuan gjithashtu lidhur me praninë e NATO-s në Afganistan dhe procesin e paqes në vazhdim, si dhe trajtuan me interes të vecantë mbi nismën ‘“NATO 2030”, duke vënë në fokus se si NATO mund të vazhdojë të përshtatet në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi, me kërcënime në rritje dhe konkurrencë sistematike, ndryshime të mëdha në ekuilibrin global të fuqisë dhe sfida në rritje të rregullave të rendit ndërkombëtar. 

Ministrat aleatë u dakordësuan gjithashtu se marrëdhënia transatlantike, e mishëruar nga NATO, mbetet gurthemeli i mbrojtjes kolektive, thelbësore për kohezionin politik të NATO-s dhe një shtyllë thelbësore për rendin e bazuar në rregulla.

Në ditën e dytë të takimit, Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, ju bashkuan dhe partnerët operacionalë të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së,  Josep Borrell, për një diskutim mbi Rusinë dhe kontrollin e armëve.

Në kuadër të diskutimeve, Ministrat aleatë vunë në dukje se Rusia ka shtuar sjelljet agresive dhe nënvizuan se qasja e dyfishtë e NATO-s ndaj Rusisë, duke kombinuar parandalimin e fortë dhe mbrojtjen me hapjen ndaj dialogut, mbetet e vlefshme. 

Të gjithë vendet aleate mirëpritën gjithashtu vendimin e fundit për të zgjatur Traktatin New Start dhe nënvizuan faktin që NATO mbetet një platformë unike për Evropën dhe Amerikën e Veriut për t'u konsultuar për të ardhmen e kontrollit të armëve.

Në ndërhyrjet e tij, Zëvendës Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare, nënvizoi mes të tjerash, se Shqipëria mbështet plotësisht një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse në Afganistan, e cila t'i japë fund konfliktit 20 vjeçar dhe të sigurojë që Afganistani të mos kthehet më në strehë të sigurt për terroristët. Ai nënvizoi se procesi i rëndësishëm “NATO 2030” do të çojë në forcimin e dimensionit politik të NATO-s, do të përgatisë më mirë Aleancën për t'u përballur me sfidat aktuale dhe ato të shfaqura të sigurisë dhe do të forcojë unitetin dhe kohezionin e Aleancës. 

Zëvendës Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare, nënvizoi gjithashtu aktivitetet destabilizuese të fuqive antagoniste të Aleancës në rajonin tonë dhe theksoi në kontekst rëndësinë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë në rrugën e tyre të integrimit eurotlantik.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 7072011
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 7072011

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00