Bushati-Dimitrov: Sinkronizim më të mirë të ndërveprimit me KE në kuadër të procesit “screening”

Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni Ministri Bushati, u takua me Ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov ku në fund të takimit dhanë dhe një konferencë për shtyp. Ministri Bushati u ndal tek mbështetja që Shqipëria i jep Maqedonisë në projektin e saj euroatlantik. Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe mbështetës të flaktë të proceseve euroatlantike të Maqedonisë. Në këtë kontekst, i bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë Pro Referendumit më 30 shtator si një marrëveshje me “rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”.
Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria pret me padurim zbatimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, i cili është një hap vendimtar për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike. Të dy qeveritë po punojmë për agjendën e ardhshme të mbledhjes së përbashkët dhe për një sinkronizim akoma më të mirë të ndërveprimit me Komisionin Europian në kuadër të procesit “screening”. Dy homologët diskutuan dhe për situatën në rajon, dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, dhe marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë.
Më herët, Ministri Bushati u takua me Kryeparlamentarin Talat Xhaferri dhe Zëvendëskryeministrin Bujar Osmani. Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë Talet Xhaferri, Ministri vlerësoi rolin e Parlamentit dhe faktorit politik shqiptar në mbajtjen e ritmit dhe dinamikës së reformave gjatë vitit të fundit.
Ministri Bushati dhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani diskutuan dhe për mundësinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit operacional në procesin “screening”, në kushtet kur ka një kalendar dhe një horizont të qartë për dy vendet tona në vitin 2019. Dy bashkëbiseduesit diskutuan dhe mbi mundësinë e zhvillimit të rajoneve dhe komuniteteve ndërkufitare duke e maksimizuar dhe asistencën financiare të BE-së.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00