Bushati pret homologun maqedonas Dimitrov: përgatitet mbledhja e dy qeverive

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Nikola Dimitrov, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ministri Bushati shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe vendosjen e kontakteve të shpejta me homologun maqedonas, menjëherë pas nisjes nga puna të Qeverisë së re të Maqedonisë, çka është tregues i rëndësisë që të dy vendet i kushtojnë thellimit të bashkëpunimit dypalësh e rajonal. “Në vijim të takimit dhe dakordësisë së dy kryeministrave Rama dhe Zaev në Trieste kemi arritur një marrëveshje për të zhvilluar mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet në vjeshtë në Pogradec. Kjo do të jetë me rëndësi për të jetësuar projektet strategjike të cilat mbështeten edhe nga  partnerët ndërkombëtarë” – nënvizoi Ministri Bushati, gjatë konferencës për shtyp që vijoi takimin kokë më kokë dhe bisedimet dypalëshe.

Ministri Bushati përshëndeti, në emër të Qeverisë shqiptare, vendosmërinë e autoriteteve të reja të Maqedonisë për tejkalimin e krizës, garantimin e stabilitetit, fuqizimin e shtetit të së drejtës, vijimësinë e reformave dhe rimarrjen e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Pasi e siguroi homologun e tij për vijimësinë e mbështetjes së palëkundër të vendit tonë drejt rrugëtimit euro-atlantik të Maqedonisë, Ministri Bushati shprehu besimin se jetësimi i programit ambicioz të qeverisë së re maqedonase do të garantojë përparimin dhe begatinë e të gjithë qytetarëve të vendit. Më tej, Ministri Bushati u shpreh se “Shqipëria dëshiron të zhvillojë marrëdhënie edhe më të konsoliduara dhe një projekt të ri bashkëpunimi që vlerëson mënyrën si zbatohen angazhimet mes vendeve tona në praktikë."

Në këtë kuadër, Ministri inkurajoi avancimin e të drejtave tërësore të shqiptarëve atje si popullsi shtetformuese. “Arritja e barazisë, si koncept qeverisës, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, në përputhje me Marrëveshjen Kuadër të Ohrit dhe Deklaratën e Partive Parlamentare Shqiptare, përbën faktor kyç për zhvillimin dhe forcimin e një Maqedonie demokratike, shumë etnike, të integruar në NATO e BE”.

Edhe Ministri Dimitrov, nga ana e tij, vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dhe të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e qeverisë së vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave të rekomanduara nga Komisioni Evropian për të ecur drejt këtij qëllimi. Në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe, Ministri Dimitrov shprehu besimin se "ka shumë potencial dhe ura bashkëpunimi mes dy vendeve. Kjo do të na ndihmojë që të ecim përpara drejt integrimit. Duhet të punojmë me vendosmëri si në të gjithë Ballkanin. Vizita e sotme është e një rëndësie të madhe sepse ramë dakord të bëjmë më shumë sesa thjesht deklarata politike. Dëshirojmë të kalojmë në projekte konkrete në të mirë të qytetarëve të vendeve tona. Vullneti politik është i rëndësishëm për të realizuar projekte më rëndësi”.

Gjithashtu, dy homologët u ndalën në shqyrtimin e zhvillimeve të fundit në rajon, duke e vënë theksin te rëndësia e  gjithëpërfshirjes në forumet rajonale, në interes të drejtpërdrejtë të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe rrugës së përbashkët euroatlantike.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00