Bushati pret në Tiranë Pejćinović Burić, njoftojnë nënshkrimin e Deklaratës së Partneritetit Srategjik.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Marija Pejćinović Burić, e cila po zhvillon një vizitë zytare në Tiranë.
Ministri Bushati i vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë si të shkëlqyera, të qëndrueshme, pa asnjë çështje të hapur dhe me ecuri pozitive ndër vite. “Midis vendeve tona zhvillohet një dialog politik intensiv, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe për situatën në rajon e më gjerë”, u shpreh ministri. Ai falënderoi palën kroate si një bashkëpunëtore të afërt në procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe që ka mbështetur plotësisht procesin e zgjerimit europian dhe përfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit në BE.
Dy ministrat deklaruan se presin rekomandimin për hapjen e bisedimeve në raportin e vlerësimit të Komisionit që do të publikohet në muajin prill si dhe përkrahjen e tij nga shtetet anëtare të BE-së,  si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave të Shqipërisë dhe stabilitetit demokratik të rajonit.
Dy bashkëbiseduesit veçuan faktin se Shqipëria e Kroacia, si bashkëudhëtare në procesin e anëtarësimit në NATO, kanë zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë në kuadër tё reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. 
Gjatë takimit, u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik me fokus të posaçëm turizmin dhe mjedisin, për t’a ngritur atë në nivelin e bashkëpunimit politik, duke marrë parasysh interesin e dyanshëm për intensifikimin e marrëdhënieve.
Si hap të parë konkret në këtë drejtim, ministrat Bushati e Pejćinović-Burić njoftuan ngritjen cilësore të marrëdhënieve mes dy vendeve në marrëdhënie të partneritetit strategjik e që së afërmi do të jetësohet me nënshkrimin e Deklaratës së Partneritetit Srategjik.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00