Bushati-Zaev: Çelësi i vetëm për progres të mëtejshëm në rrugëtimin euro-atlantik, vota PRO Marrëveshjes së Prespës

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Maqedoni për një vizitë zyrtare në një moment të rëndësishëm për ecurinë euro-atlantike të fqinjit tonë. Ministri Bushati e nisi vizitën e tij me një takim me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Biseda u përqëndrua tek zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe rajon si dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Ministri Bushati vlerësoi lidershipin politik të Kryeministrit Zaev, i cili ka ndërmarrë një qasje të re ndaj fqinjëve për të drejtuar vendin drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO.
Sipas Ministrit Bushati, çelësi i vetëm për hapjen e kësaj rruge është vota PRO Marrëvëshjes së Prespës në Referendumin e datës 30 shtator. Në këtë kuadër, kreu i diplomacisë shqiptare inkurajoi të gjithë qytetarët e Maqedonisë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të jetësuar në perspektivën e tyre euro-atlantike.
“Është detyrë historike e çdo shqiptari të Maqedonisë dhe në diasporë të votojnë masivisht dhe t’i thonë PO Marrëveshjes në Referendum. Po ashtu, është mision jetik i të gjithë spektrit politik shqiptar të shfaqë unitet për të mobilizuar votën masive shqiptare më datë 30 shtator”, nënvizoi Ministri Bushati.
Të dy zyrtarët u ndalën dhe tek nevoja e hyrjes sa më shpejt në fuqi e Ligjit të Gjuhëve. Mbi këtë çështje, palët ndanë bindjen se zbatimi i duhur i tij dhe krijimi i shpejtë i mekanizmave të monitorimit siguron një qasje më të mirë dhe më të drejtë ndaj shërbimeve për shqiptarët dhe përfshirjen e tyre në qeverisjen e mirë, politikat e zhvillimit dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt Europës.
Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë zhvilluar të parën mbledhje të përbashkët në Pogradec. Me këtë rast, Kryeministri Zaev siguroi se pala maqedonase po punon për përgatitjet e mbledhjes së dytë që do zhvillohet në Maqedoni. Vizita e Ministrit Bushati vijon me takime me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të spektrit politik shqiptar.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00