Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut (ASHAM) zhvilloi sot në sallën kryesore të saj një ceremoni komemorative për të ndeuar kujtimin e akademikut, profesor Luan Starova, shkrimtar, filozof, përkthyes, diplomat, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Kryetari i ASHAM, akademiku Lupço Koçarev dhe referuesit e tjerë, evidentuan me superlativa jetën dhe veprën e profesor Starovës, figurës emblematike që i bën nder vendit ku u rrit e jetoi, Maqedonisë së Veriut, por edhe Shqipërisë, Ballkanit e më gjerë, e që me veprën e tij, ka ditur të mbajë balancat etnike, por edhe të jetë interesant për kulturën e letërsinë europiane.
Të pranishëm në ceremoni veç bashkëshortes e vajzave, ishin edhe personalitete të jetës akademike në vend, miq e dashamirës të profesor Luan Staroves. Ishin po ashtu të pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme të RMV Bujar Osmani, si dhe Ambasadori i Republikës së Shqipëisë në Maqedoninë e Veriut Fatos Reka.