Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin Ekonomik të Shkupit

Do t’ju drejtohem në shqip sipas rregullit të vendosur dhe shpresoj që këtë herë, përthyesi të mos jetë si herën tjetër, Zoran, që ma shkatërroi komplet mesazhin. Uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria dhe Serbia, por edhe nga Mali i zi, edhe nga Kosova, edhe nga Bosnja, edhe nga Kroacia, edhe nga Sllovenia, edhe nga Greqia. Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tre vendeve tona dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes, janë të pranishëm ata që krijojnë punë, krijojnë të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje. Është shumë e qartë që për të gjithë ata, kjo nismë është gjëja e  duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa, është edhe e vonuar.
Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma sesa të vegjël jemi të ndarë, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektivë me vende pune të mirëpaguara, sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën.
Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën. Ne duam të projektohemi për të ardhmen përmes një nisme, e cila nuk shpik asgjë tëre, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i Bashkimit Europian, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të lëvizjes së mallrave, të lëvizjes së kapitaleve, të lëvizjes së shërbimeve.
Për çfarë arsye në botë, ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri – tjetri, siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjeshtë nga çfarë bëjmë ne, por nga çfarë mendojnë të tjerët. Në fund të ditës, në momentin që ne integrohemi në  Bashkimin Europian, do të  bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot pa Bashkimin Europian. Nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë më diskutime të mundshme nëse këto katër liri do të zbatohen këtu në rajonin tonë.
Është sa për të ardhur keq e aq edhe për të qeshur kur dëgjon edhe europianë në kryeqytete që pyesin me çudi, po ça po bëni ju?
Si çfarë po bëjmë ne?
Ne nuk mundet dot që të lexojmë shifra, fakte, të vëna përpara syve tanë jo nga ekspertët e qeverive tona, por nga organizmat financiare ndërkombëtare, si përshembull, Banka Botërore, ku thuhet se, nëse duam të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar, ne mund ta rrisim atë deri në 2.5% vetëm nga integrimi ekonomik, ndërkohë që nëse ne arrijmë nivelin e marrëveshjes europiane të tregtisë së lirë, prodhimi ynë i përgjithshëm mund të shkojë 6.7% në rritje dhe pse duhet ne t’ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme, duke ndenjur secili brenda hapësirës së vet të vogël?
Për me tepër, sot, kur ne përballemi si gjithë të tjerët, por në kushtet tona me vështirësi ekstra për shkak të pasojave të pandemisë, jo vetëm që ne nuk mundet në asnjë mënyrë t’ia provojmë vetes këtë potencial që e ka rajoni, që e ka bashkëpunimi mes nesh, por ne duhet të bëjmë çmos që të vrapojmë për të fituar një kohë të humbur që është marramendëse.
Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e të katër lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në Bashkimin Europian. Ne duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë tani.
Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë. Sa herë duhet ta përsërisim që cilido  që dëshiron të na bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur të na bashkohet. Ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Këtë nuk mund ta presim. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE-së këtu, që çohet e thotë që unë vë veton e ju nuk duhet të takoheni, ose çohet tjetri e thotë  që unë vë veton dhe ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë. Këtë nuk e bëjmë dot.
Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë se kemi humbur shumë, kemi humbur shekuj. Ne nuk mund ta bëjmë si ata dy ballkanasit që luftonin për sulltanin dhe që u shquan në majën e një kështjelle dhe sulltani kërkoi t’i takonte dhe t’i shpërblente. I thirri dhe i tha, shikoni se ju të dy keni hipur të parët në kështjellë për të vënë flamurin e perandorisë, tani unë nuk kam kohë t’ju dëgjoj të dyve, por kush ishte i dyti të kërkojë çfarë të dojë dhe i pari do të marrë dyfishin e të dytit. Ky i dyti, kur mendoi që unë mund të kërkoj çfarë të dua, por ky do të marrë dyfishin tim, tha ma hiq një sy mua, që t’ia hiqte të dy sytë atij tjetrit.
Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve. Nuk kemi parë asnjëherë së çfarë fitojmë ne nga bashkëpunimi, por kemi pare se sa keq heq tjetri nga konflikti. Kjo histori është një histori shumë e gjatë dhe shumë e dhimbshme për të mos e lënë pas
Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë e për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se Serbia është më e madhe e do vijë do na marri gjithë çfarë kemi, e para, jeton në një botë paralele; E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve e jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve; E treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi që dhe Bashkimi Europian është një Jugosllavi e madhe.
Nëse Bashkimi Europian është një Jugosllavi e madhe, atëherë po, kjo është Jugosllavia e vogël. Por në fakt jo. Kjo është as më shumë e as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet, me vlerat dhe me mekanizmat e Bashkimit Europian, në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjen e tij për t‘u integruar në Bashkimin Europian.
Për çfarë arsye, të gjithë kamionët e mallrave që qarkullojnë në këtë rajon duhet të harxhojnë më shumë kohë në kufi sesa në udhëtim?
Këtu ka sipërmarrës që i përkasin sektorit të tregtisë dhe e dinë shumë mirë. Më e gjatë është koha e pritjes në kufi, sesa është koha për të shkuar nga një kufi në tjetrin. Dhe në emër të kujt, ne duhet ta pranojmë ketë realitet si të pandryshueshëm deri kur të bëhemi anëtarë të Bashkimet Europian?
Në emër të historisë?
Në emër të konflikteve?
Në emër të çështjeve akoma të pazgjidhura, që e dimë shumë mirë që duhen zgjidhur?
Këtu, unë dua të ripërsëris. Çështjet e pazgjidhura mes nesh nuk zgjidhen më kollaj duke hedhur poshtë dhe mohuar potencialin e këtij bashkëpunimi. Përkundrazi, sa më shumë potenciali i këtij bashkëpunimi të kthehet në mirëqenie, të kthehet në liri lëvizjeje, të kthehet në ekonomi, të kthehet në perspektivë, aq më e mundur është që edhe çështjet e pazgjidhura të zgjidhen. Sepse e gjithë shoqëria, të gjitha shoqëritë, kësisoj kalojnë në një nivelit tjetër të kuptimit të vetes, të njëri-tjetrit dhe të të ardhmes.
Dua të rikonfirmoj se për ne, për Shqipërinë, kjo nismë është strategjike. Ne do vazhdojmë me këmbëngulje përpara. Objektivi që i kemi vënë vetes është që brenda vitit të ardhshëm, i gjithë sistemi i qarkullimit, jo vetëm të njerëzve, por dhe të mallrave, kapitaleve e shërbimeve të jetë 100% i njehsuar me Bashkimin Europian, madje kemi rënë dakord që do të fusim edhe sistemin e integruar të informacionit mbi pagesat e TVSH-së midis vendeve, gjithmonë duke ju thënë të tjerëve hajdeni.
Unë nuk e kuptoj, Mali i Zi, për çfarë mendohet? Mendohet se si të zgjidhi problemin e krahut të punës, duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme? Që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që në Malin e Zi është bërë një problem shumë i madh.
Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse, për mua, të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi e duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre e për të gjithë së bashku. Çdo ditë që ne fitojmë në këtë proces është një ditë e fituar për të ardhmen. Çdo ditë që ne humbim në këtë proces është një ditë që na e merr e shkuara.
Dhe e shkuara nuk mund të diktojë se sa rritemi ekonomikisht, përkundrazi, e ardhmja duhet ta diktojë. E shkuara nuk mund të diktojë se sa zhvillohemi në të gjitha aspektet. Se dëgjoj patriotët e Shqipërisë që thonë, hekurudha. Cila hekurudhë? Cilat janë këto organizma financiare ndërkombëtar e cilat janë këta investitorë që do t’i hedhin fondet e mëdha që duhen për hekurudhën, nëse treni shkon në një destinacion brenda për brenda kufijve tanë, apo qoftë dhe nëse treni shkon vetëm nga Tirana në Prishtine? Kush do vijë të investojë për hekurudhat e Maqedonisë së Veriut, nëse treni shkon vetëm nga Tetova në Shkup? Ku gjenden këta budallenj që janë gati t’i hedhin paratë për të financuar një sektor, i cili dihet botërisht, jeton me subvencione shtetërore, për të balancuar investimet.
por, nëse ne së bashku kemi fuqinë dhe vullnetin të ndërtojmë një projekt të përbashkët e me atë projekt të përbashkët të shkojmë të trokasim në dyert e gjithë organizmave financiare ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian e të themi urdhëroni, rrjetin hekurudhor të të gjithë Ballkanit, çdo vend ka pjesën e vetë, por ama gjithë volumi i lëvizjes justifikon investimin. Hekurudhë për çfarë? Për të çuar statuset e Facebook-un nga një kufi në tjetrin, duke luftuar njëri-tjetrin? Nuk ka nevojë për hekurudhë Facebook-u.
Ky është një shembull, por ka plot të tjerë.
Shqipëria jeton me turizëm. Sot, volumi i turizmit nga rajoni rritet në mënyrë domethënëse. Mund të rritet ende më shumë. Nga ana tjetër, vendet e tjera kanë turizmin e dimrit. Patjetër që mund të rritet dhe më shumë volumi në anën tjetër e nga kjo rritet ekonomia, rritet punësimi, rritet sipërmarrja e në fund fare fuqizohet e ardhmja.
Ne jemi këtu për të ardhmen e çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë, nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të të shkuarës që zgjidhet në emër të së ardhmes.
Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00