Fjala e plot e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, SH.T. Z. Gramoz Ruçi, në Kuvendin e Maqedonisë

"I nderuar zoti Kryetar, Zoterinj deputetë,
Është një kënaqësi e veçantë që sot jam i ftuar të ndodhem këtu e t’ju adresohem në emrin tim personal e të Kuvendit të Shqipërisë.

Falenderoj homologun Talat Xhaferi që më krijoi këtë mundësi për t’ju përshëndetur si përfaqësuesit më të lartë të vullnetit të sovranit të këtij vëndi si edhe për të biseduar për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve kaq shumë të rëndësishme të të dy vëndeve tona.
Që në fillim të fjalës sime dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Për historinë dhe vlerat që kanë krijuar e po konsolidojnë;

Për arritjet në konsolidimin e sistemit dhe të institucioneve demokratike;
Për përpjekjet për bashkëjetesë dhe mirëkuptim e paqe të brendshme;
Për kontributin e tyre në rolin moderues të Maqedonisë në rajon e më gjerë;
Për gjithshka ata janë dhe dëshirojnë e përpiqen të jenë, në këtë zonë të rëndësishme të rajonit, kontinentit dhe globit;
Shkëmbimet tona parlamentare janë një instrument i dobishëm për dialog e njohje më të thelluar të ndërsjelltë në të mirë të të dy popujve tanë, të rajonit por edhe më gjërë.

Roli i diplomacisë parlamentare sot është i njohur dhe i vlerësuar për dinamiken dhe efektivitetin, për transparencën dhe gjërësinë e kontakteve.
Dialogu parlamentar midis dy vëndeve tona kohët e fundit ka ardhur në rritje, por ne kemi mundësi të tjera të pashfrytëzuara për ta bërë atë një process të natyrshëm komunikimi e ndërveprimi për të mirën e përbashkët tonën dhe të të gjithë rajonit.

Vizita ime dhe bisedimet që zhvilluam me kolegun tim të çmuar, Xhaferi si edhe ato që do të zhvillojmë me përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit e të spektrit politik, na nxisin për të ecur përpara në këte proces jetik për marrëdhëniet e prosperitetin e vëndeve tona.

Shqipëria e Maqedonia janë dy vënde fqinj e miq, që i ka bashkuar historia e largët dhe e afërt, që kanë përballuar sfida të përbashkëta, që u janë kryqëzuar rrugët edhe fatet, që u janë rrezikuar identitetet nga uzurpatorë të huaj, të largët e të afërt, por që kanë ditur të rezistojnë, të mbijetojnë e të jenë sot më tepër se kurrë zotër të fateve e trojeve të tyre.

Sfidat me origjinë historike, por edhe bashkëkohore, janë të pranishme edhe sot. Modernizimi, europianizimi, integrimi e globalizmi me të gjitha efektet e tij, pozitive e negative, ndikojnë në shoqëritë tona, shpërbëjnë konstruksionet e tyre të vjetra dhe kërkojnë përshtatje me realitetet e reja, shpesh të imponuara nga faktorë e forca të pakushtëzuara nga vullneti yne.
Tani ne ndodhemi në një moment ballafaqimi midis filozofive e realiteteve kontradiktore të zhvillimit, midis tendencave të dukshme progresive të integrimit dhe atyre të tërheqjes e të rikthimit në oborret e vjetra të mbyllura të nacionalizmit. Në një mënyrë ose një tjetër kjo përplasje reflektohet edhe në rajonin tonë.

Vendet tona kanë një bashkëpunim ekonomik shumë të mirë dhe po bëjnë përpjekje për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, përmes heqjes së gjithë barrierave jo-fizike, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit, angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues.

Të nderuar deputetë,

Vizita jonë në vëndin tuaj përkon me një kohë ndryshimesh cilësore e me rezonancë të gjërë politike, sociale dhe integruese.

Ne vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për modernizimin e Maqedonisë, për vendimet historike që keni marrë për të shpejtuar ritmin e zhvillimeve demokratike e integruese.

Ju keni dëshmuar vullnet e frymë europaiste drejt modernizimit të Maqedonisë.
Më lejoni që në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’ju përgëzoj për këtë mision që keni ndërmarrë e që nuk është vetëm në shërbim të prosperitetit e forcimit të shtetit maqedonas, por edhe të stabilitetit, të sigurisë e të paqes në rajon.

Muajt e fundit me ndërgjegje e me votën tuaj ju miratuat ndër të tjera dy vendime historike, ligjin mbi përdorimin e gjuhëve dhe atë për ndryshimin kushtetues të emrit të vëndit tuaj.
Vendimet e mëdha kërkojnë qartësi vizionare, por edhe vullnet të madh, sikurse shkaktojnë përplasje ideore e konceptuale, dhunë verbale, por edhe më shumë.
Ju i kini administruar me shume urtësi e përgjegjësi këto situata dhe me të drejtë keni fituar mbështetjen dhe simpatinë tonë, të opinionit rajonal dhe të atij ndërkombëtar.
Fakti që vizita ime vjen në këto momente të rëndësishme për të ardhmen e vendit tuaj, është një dëshmi se Shqipëria është një nga mbështetëset më dashamirëse dhe konstante të Maqedonisë.
Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, përmes realizimit në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit të vëndit përmes votimit përfundimtar që do të bëni së shpejti, do të shënoj hyrjen e Maqedonisë në rrugën e pakthyeshme të integrimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Mesazhet janë të qarta. Samiti i NATO-s në muajin korrik në Bruksel i adresoi qeverisë tuaj ftesën për anëtarësimin në organizatë. Përmbyllja së shpejti e procesit të bisedimeve teknike do të krijojë mundësinë e fillimit të negociatave finale për dakortësimin e të gjitha shteteve anëtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO brënda vitit 2019.

Shqipëria është deklaruar hapur e pa rezerva për anëtarësimin e vëndit mik fqinj maqedonas.
Me vendimet që keni marrë ju i dhatë shansin dhe shpresën vëndit tuaj që të vlerësohet nga Komisioni e Këshilli Evropian së bashku me Shqipërinë si vënde kandidate për hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian në qershor 2019.
Të dy vëndet tona e meritojnë plotësisht këtë anëtarësim, jo vetëm në respekt të angazhimeve e detyrimeve tona si vënde kandidate, por edhe si faktorë të rëndësishëm rajonalë me profil të theksuar evropian.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë në të cilat ndodhet sot Bashkimi Evropian, por përballë euroskepticizmit dhe tendencave ekstreme nacionaliste e raciste në disa vënde europiane, anëtarësimi i dy vëndeve tona me popullsi proeuropiane do të forconte boshtin progresiv integrues evropian.

Ne, shqiptarët dhe maqedonasit, për nga rrënjët, kultura dhe shpirti, jemi popuj europianë dhe një ditë të afërt do t’i bashkohemi familjes europiane edhe formalisht e juridikisht.
Anëtarësimi i të dy vëndeve tona në Bashkimin Evropian dhe i Maqedonisë në NATO do ta bënte më të dukshme dhe më efektive praninë institucionale të botës demokratike perëndimore në rajonin tone, përballë tendencave ekspansioniste ekonomike dhe gjeopolitike të faktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Ballkani Perëndimor është pjesë e natyrshme e Europës, nga përkatësia gjeografike, historia, kultura dhe traditat.

Bashkimi Evropian, në klimën e konkurencës globale e në funksion të objektivave të tij strategjike, duhet t’i shikojë e t’i vlerësojë marrëdhëniet me vëndet tona përtej procedurave burokratike të kushtëzimeve strikte për anëtarësim.

Ai ka nevojë për rajonin tone, sikurse edhe vëndet tona dëshirojnë të integrohen në familjen e madhe evropiane. Shqipëria është besimplotë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian.
Procesi i Berlinit i nisur që në verën e vitit 2014, me iniciativën e Kancelares Angela Merkel i ka dhënë një nxitje të admirueshme integrimit rajonal dhe krijimit të infrastrukturave të nevojshme ekonomike, tregtare, sociale si parapergatitje për integrimin e plotë të vëndeve tona në Bashkimin Evropian.

Uroj me gjithë zemër dhe besoj se si vizita ime e ardhme në Kuvendin e Maqedonisë, ashtu edhe vizita e ardhshme e z. Talat Xhaferi në Kuvendin e Shqipërisë, do të realizohen në një kohë të afërt, pasi në qershor 2019, të dy vendet të kemi çelur negociatat me Bashkimin Europian.
Kolegë deputetë,

Në rrugën tonë jo të lehtë për në Bashkimin Evropian ka patur dhe ka vështirësi e pengesa, që jo gjithnjë na i kanë shkaktuar e vendosur të tjerët nga jashtë.
Vëndet tona kanë një pjesë të përgjegjësive që burojnë nga veprimi i një numri faktorësh të brëndshëm në shoqëritë tona.

Fenomenet gërryese të korrupsionit e të krimit të organizuar, dozat e larta indoktrinuese nacionaliste dhe konservatore, platformat dhe veprimtaritë paragjykuese ndaj njëri tjetrit, janë bërë sot disa nga faktorët që frenojnë ritmet e zhvillimeve evropianizuese në Ballkanin Perëndimor.
Stabiliteti i rajonit dhe integrimi final i tij në Bashkimin Evropian kërkon para së gjithash stabilitetin afatgjatë të brëndshëm të çdo vëndi, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe eleminimin e konflikteve potenciale ose të ngrira, pranimin e realiteteve të reja të krijuara.
Shqipëria promovon politikën e saj rajonale mbi bazën e parimeve të njohura të respektimit të sovranitetit të vëndeve fqinje e të rajonit, të mosndërhyrjes në punët e brëndshme, të bashkëpunimit në interes të ndërsjelltë e në funksion të integrimit të plotë evropian, të ruajtjes së paqes e sigurisë rajonale.

Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vëndi fqinj. Përkundrejt zërave shpesh të motivuar nga synime të brëndshmë të qarqeve apo individëve të veçantë politikë në ndonjë vënd të rajonit, vendi ynë nuk ka asnjë projekt, mbi apo nën tavolinë, për të krijuar të ashtuquajturën “Shqipëri të Madhe”.

Ky qëndrim parimor dhe transparent i Shqipërisë nuk i mohon asaj që, mbi bazën e detyrimeve kushtetuese e të normave të së drejtës ndërkombëtare, të interesohet për gjëndjen e shqiptarëve, liritë e të drejtat e tyre në shtetet ku jetojnë. Ky është një parim njohur nga të gjithë dhe i vlefshëm për të gjithë.

Shqiptarët kanë partitë dhe institucionet e tyre përfaqësuese që shprehin dhe mbrojnë interesat e tyre dhe zhvillojnë politika e marrëdhënie bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me parti politike apo segmente përfaqësuese të komuniteteve të ndryshme etnike, brënda kornizave kushtetuese të çdo vëndi.
Ne inkurajojmë shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, që të vazhdojnë të jenë faktor dhe promotor i mirëkuptimit, tolerancës dhe integrimit euro-atlantik.

Shqiptarët e Maqedonisë, me rolin e tyre thelbësor në demokratizimin dhe përparimin e shoqërisë maqedonase, janë bartës dhe kontribues të drejtpërdrejtë të vlerave të zhvillimit, prosperitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë.

Përfitoj nga rasti që të shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer institucional parlamentar në Maqedoni.

Ky bashkëpunim realist, vizionar dhe me frymën bashkëkohore evropiane po realizon reforma të rëndësishme, po shtron rrugën e ndërtimit të një shoqërie demokratike e multietnike funksionale dhe të integrimit të pakthyeshëm në strukturat euroatlantike.

Unë jam i bindur se ky bashkëpunim i arritur mbi baza parimore, por edhe strategjike, megjithë pengesat që mund të ndesh, është model evropian bashkëjetese e bashkëqeverisjeje dhe do të jetë i suksesshëm në përballimin e sfidave të së ardhmes.

Maqedonasit dhe shqiptarët, këtu në Maqedoni apo edhe në Shqipëri, janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë më shumë prej nesh, më shumë prosperitet, më shumë siguri, më shumë dinjitet.
Shqipëria ka respektuar historikisht identitetin, liritë e të drejtat e maqedonasve ne Shqipëri. Miratimi i ligjit gjithpërfshirës për minoritetet para disa kohësh në Kuvëndin e Shqipërisë dhe aktet e tjera nënligjore që po shoqërojnë atë përmbush plotësisht kriteret evropiane të trajtimit, të lirive e të drejtave të tyre. Komuniteti maqedonas në Shqipëri është në shtëpinë e tij dhe ndihet si në shtëpinë e tij.

Zoti kryetar,

Të nderuar deputetë,

Në përfundim të fjalës time dua t’ju siguroj se vizita jonë këtu në Maqedoni nuk ishte një akt i thjeshtë protokollar apo kortezie.

Ne erdhëm me vullnet të plotë për t’u dhënë një nxitje dhe zhvillim cilësor marrëdhënieve tona ndërparlamentare dhe jo vetëm atyre.

Koha dhe objektivat e përbashkëta që kemi përpara na diktojnë nevojën e intensifikimit të kontakteve tona jo vetëm në planin dypalësh por edhe në atë shumëpalësh.
Ne jemi të vendosur por edhe të bindur për të ecur së bashku në këtë rrugë. Ju faleminderit për vëmëndjen.
Gëzuar festat!"

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00