Deklarata e Kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Presidentin e Serbisë, Presidentin e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinë dhe ministren e Ekonomisë së Malit të Zi, pas përfundimit të Samitit të Ohrit
Së pari, dua të falënderoj Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim Zoran, për organizmin e shkëlqyer dhe mikpritjen që na ofroi.
Dua të falenderoj dhe Presidentin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, zotin Zvizdić, si dhe ministren e Ekonomisë së Malit të Zi, zonjën Sekulić, për praninë e tyre, sepse për ne, e kam thënë qysh në krye të herës, është e shkruar në dokumentin e Novisadit, është përsëritur vijimësisht, nuk është ideja të ndajmë Ballkanin Perëndimor, që edhe kështu është i vogël, në dy pjesë më të vogla, por është ideja që të përfshijmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
E gjithë pjesa tjetër, përfshirë edhe sa jemi marrë vesh në këtë mbledhje të radhës është e shkruar dhe miratuar nga të gjashtë vendet në takime të njëpasnjëshme, por është e pazbatuar. Kjo është nismë thjesht dhe vetëm për të shtyrë më tutje procesin dhe karakteristikë e saj është se është një nismë që vjen si vullnet i brendshëm dhe jo si patronazhim nga jashtë.
Miqtë tanë, partnerët tanë nga Bashkimi Europian, Komisioni Europian, institucionet financiare ndërkombëtare, ishin këtu të pranishëm dhe ndryshe nga herët e tjera ishin të ftuar, jo ftues. Nëse ky ndryshim shqetëson dikë apo disa, ky nuk është absolutisht një problem në vetvete i nismës.
Dua të them po ashtu që ne u dakortësuam që më 21 dhjetor të zhvillojmë mbledhjen e radhës në Durrës dhe morëm edhe konfirmimin që në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i ri i Lartë i Diplomacisë Europiane, zoti Joseph Borrel, i cili merr stafetën nga zonja Mogherini dhe del natyrshëm në këtë proces, si një vazhdimësi e një rruge të nisur.
Në Durrës, unë dëshiroj shumë që edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, që me të drejtë kërkuan kohën e tyre për të bërë të gjitha vlerësimet dhe për të bërë të gjitha rakordimet e elementëve të nismës me gjithçka është rënë dakord më parë, të përfshihen dhe Kosova po ashtu të përfshihet me të drejta të plota dhe si e barabarta në këtë proces.
Por do më lejoni që të mos i shmangem “elefantit” që është këtu në dhomë, – kur thonë, – që lidhet pikërisht me Kosovën dhe dua të jem sa më i qartë dhe sa më i drejtpërdrejtë me të gjithë ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, apo nuk duan të kuptojnë.
Nuk është ky momenti për të shpjeguar pse, sipas meje, bëjnë sikur nuk kuptojnë, apo nuk duan të kuptojnë, por është momenti për të thënë që sa herë jemi takuar, jemi ulur, kemi biseduar dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet e zeza mbi të bardhë, tanimë jo si një dokument mirëkuptimi, por si një plan veprimi në këtë nismë mes liderësh të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofie, në Londër, në Poznan, në Trieste, në Paris, në Berlin, në Bruksel, në Vjenë, në Durrës, në Shkup, në Sarajeve, në Ulqin, me sa unë kujtoj, nuk më rezulton se në gjithë këto takime, Serbia apo Bosnje Hercegovina e kishin njohur Kosovën, por kjo nuk e ka penguar as Presidentin e Kosovës, as Kryeministrin e Kosovës të marrin pjesë dhe të flasin në emër të Kosovës, si të barabartë me të tjerët dhe të dakordësohen për të gjithë elementët e kësaj nisme, në dokumente të bashkëmiratuar me partnerët tanë europianë.
Në kujtesën time, pas luftës për pavarësinë e Kosovës u desh një kohë jo e shkurtër që përfaqësuesit e shtetit të ri të Kosovës të pranoheshin në tavolinë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Serbisë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Bosnjë-Hercegovinës, kur bëhej fjala për takime ndërkombëtare, sepse asnjëra nga të dyja palët nuk pranonte të ulej me ta në tavolinë.
Tani, prej të paktën prej 5 vjetësh nga nisja e Procesit të Berlinit, pjesëmarrja e Kosovës as është vënë kurrë në diskutim dhe nuk di, mbase nuk arrij dot ta kuptoj, por as e gjej dot interesin, as e gjej dot përfitimin nga rikthimi vite e vite të largëta më parë, kësaj radhe, jo me mospranim, por me vetëpërjashtim.
Bashkëpunimi rajonal dhe njehsimi i katër lirive të Bashkimit Europian në bashkëpunim me vendet e rajonit, përfshi edhe Serbinë, edhe Bosnje Hercegovinën, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk do të thotë as se Shqipëria ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës, as se kam ndryshuar mendimin tim, që unë publikisht e kam thënë në vizitën time të parë në Beograd, se Serbia duhet të njohë Kosovën. Por, në ndërkohë, moszgjidhja ende e kësaj çështje nuk është absolutisht një arsye që Kosova papritur të vetëpërjashtohet, apo aq më tepër nuk është një arsye që Shqipëria dhe Kosova të mos mbrojnë interesat e zhvillimit ekonomik dhe social të qytetarëve të tyre, të cilat kalojnë përmes integrimit, kalojnë përmes bashkëpunimit, kalojnë përmes gjithëpërfshirjes dhe jo përmes vetëpërjashtimit dhe izolimit.
Një pyetje e thjeshtë do të ndihmonte qytetarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullirit në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës; A do të donin të vazhdonte njësoj historia me mallrat që rrinë presin me orë dhe ndonjëherë edhe me ditë dhe me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike për të hyrë në krahun tjetër, apo do të donin që njësoj si në të gjithë Ballkanin Perëndimor, edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelej plotësisht kufiri për të katër liritë e lëvizjes së Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave; liria e lëvizjes së kapitaleve; liria e lëvizjes së shërbimeve.
Unë besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një “Minishengen”. Nuk e di kush e gjeti këtë fjalën “mini”. Të paktën mua personalisht, kjo “mini” nuk më konvenon. Sepse duke qenë edhe 198 centimetra, s’jam ndjerë kurrë pjesë e ndonjë “mini”.
Ashtu sikundër, nëse duam ta quajmë ashtu siç është, është WB Shengen, (Western Balkan Schengen) që do të thotë që të gjithë qytetarët, jo vetëm ata të BE-së, por dhe ata të këtij rajoni, kanë të drejtë të lëvizin lirisht në të gjithë rajonin, kur të duan, ku të duan, pa patur pengesat absurde që kanë sot. Pengesa, të cilat përkthehen në kosto marramendëse. Janë miliarda euro që rajoni i ka humbur dhe i humb, që do të thotë ne i kemi humbur dhe i humbim si vende nga ky lloj barrikadimi pas kufijsh, të cilëve u ka dalë përfundimisht koha dhe funksioni.
Unë e konsideroj me rendësi të veçantë në këtë nismë që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, njësoj si të gjithë kufijtë e tjerë, të zhduken dhe që kjo e ka dakordësinë edhe të palëve të tjera, përfshirë edhe Serbinë. Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë në Jugosllavi. Unë nuk kam jetuar asnjë ditë në Jugosllavi dhe kush flet për rilindjen e Jugosllavisë mbase është ende i lidhur me kujtimet e Jugosllavisë. Unë nuk kam asnjë kujtim nga Jugosllavia.
Ndërsa kush flet për Shqipëri të madhe, kur unë flas për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tani do duhet thjeshtë të heshtë. Nuk ka mundësi që unë të jem edhe “mini-jugosllav”, edhe “shqiptaro-madh”. Unë jam thjesht një qytetar europian, që s’po bëj asgjë të re, por thjesht po marr pjesë në një proces që e kam kërkuar vetë prej vitesh, që të mos mbetemi thjeshtë e vetëm pjesëtarë të nismave që organizohen në Bruksel dhe thjesht e vetëm pre e proceseve burokratike që nuk përkthen në të mira për qytetarët.
Të vijmë tek konkretja.
Pse produktet bujqësore të Shqipërisë duhet të kalben në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në kufirin me Serbinë, apo në kufirin me Bosnjë-Hercegovinën, siç kalben fatkeqësisht edhe në kufirin me Kosovën. Sepse në rastin konkret janë këto barriera që na pengojnë. Janë barriera të të gjitha natyrave. E të mos më thotë kush në Kosovë që kalbja e produkteve në kufi është rezultat i mungesës së vullnetit, apo i mungesës së shtytjes nga ana ime, apo nga ana e qeverisë tonë, sepse e vërteta është ndryshe dhe lehtësisht e lexueshme.
Lejet e punës, pse duhet të jenë të ndryshme nga ato për qytetarët e Bashkimit Europian? Një qytetar i Bashkimit Europian mund të hyjë në gjithë këto vende dhe nga momenti që hyn, mund të punojë ku të dojë. Ndërsa një qytetar i këtyre vendeve, po marr qytetarët shqiptarë që shkojnë punojnë në Malin e Zi, duhet të presë kushedi sa javë për të marrë një leje pune. Po turistet nga jashtë Bashkimit Europian, pse duhet të marrin 6 palë viza për të vizituar rajonin tonë, ndërkohë që mjafton të hyjnë në një pikë dhe mund të udhëtojnë në gjithë rajonin. Apo do vijnë 6 herë nga Kina, t’i bien vërdallë rajonit, se ne kemi 6 palë kufij, 6 palë policë e 6 palë administrata.
Të gjitha këto janë përfitim ekonomik.
Një pyetje kam për të gjithë ata që flasin për diplomat. Pse për njohjen e diplomave duhen pritur edhe 5, 10 apo 15 vjet të tjerë, siç kemi pritur 5 vjet, qëkurse kemi rënë dakord në Beograd? Po gjatë vizitës në Beograd, unë kam ndaluar në Preshevë. I kam premtuar shqiptarëve të Preshevës të përgatiten sepse diplomat e tyre do të njihen dhe ata do të mund të jetojnë atje dhe të punona atje me diploma të marra edhe në Shqipëri. Po për ata kush mendon? Çështja e tyre si zgjidhet, duke u larguar? Duke u vetëpërjashtuar? Duke i thirrur kohërave të vjetra? Apo duke u kthyer në kohërat e vjetra?
Pse duhet që të gjitha ato për të cilat kemi rënë dakord, kemi 5 vjet që biem dakord nëpër dokumente që nuk zbatohen, të konsiderohen si pengje? Apo mos vallë, duke mos zbatuar asgjë nga ato që është rënë dakord mes të gjithëve, – flas për përfaqësuesit e të 6 vendeve, – do të përshpejtohet procesi i njohjes së Kosovës?
Unë besoj fort se paqja është e ndërlikuar, por është një proces që ia vlen. Se bashkëpunimi me ata që deri dje ishin armiq në anën tjetër të barrikadës është i ndërlikuar në kohën e paqes, por është i vetmi proces që garanton që ata që vijnë pas të mos trashëgojnë armiqësi, por të trashëgojnë potenciale, mundësi dhe kushte të reja për prosperitet.
I them të gjitha këto, sepse e di shumë mirë se çfarë do të vazhdojë edhe pas kësaj mbledhjeje, siç ka filluar edhe para kësaj mbledhjeje, por asgjë nga këto nuk është as e papritur, as e panjohur dhe as e pathënë më parë. E kam predikuar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal qysh në ditën e parë që jam bërë Kryeministër i Shqipërisë dhe do të vazhdoj të luftoj për bashkëpunim dhe integrim rajonal, duke besuar fort që sa më mirë të jetojnë njerëzit, sa më shumë mundësi të kenë njerëzit, aq më shume potencial ka që të zgjidhen edhe konfliktet e trashëguara nga e shkuara.
Në mbledhjen e Durrësit, sigurisht do të jenë të ftuar që të gjithë, pa diskutim, sepse unë e konsideroj domosdoshmëri praninë e Kosovës në tryezë, njësoj si të Malit të Zi dhe të Bosnjës, gjithashtu.
Nga ana tjetër, kush mendon se pëlqyeshmëria që mund të marrë sot nëpër tifozerinë e Facebook-ut, apo nëpër mëhallat e patriotizmit dritëshkurtër, shikon larg, gabon, gabon, gabon.
Kështu që është mirë të jemi sëbashku, është mirë t’i ndajmë në tryezë, siç i kemi ndarë edhe më parë, opinionet tona, kundërshtitë tona, refuzimet, por ama sëbashku, sepse cilësia e jetës në fund fare nuk varet nga sa shumë nuk re dakord, apo nga sa shumë re dakord, por nga mënyra sesi nuk bie dakord. Ka mënyra e mënyra për të mos rënë dakord. Mënyra më e mirë për të mos rënë dakord është ajo që nuk cenon perspektivën e përbashkët. Natyrisht, të gjithë kanë interes këtu në këtë proces të fitojnë. Ne kemi interes që të fitojmë. Kosova ka interes të fitojë. Dhe nuk mund të ketë një proces kur njëra palë fiton dhe tjetra palë humbet, por është një proces ku të gjithë fitojnë dhe natyrisht, secili përpiqet fitojë sa më shumë. Ama jo duke menduar se po fiton edhe tjetri.