Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi.
“Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përbëjnë një shembull bashkëpunimi në rajon. Ne vlerësojmë  reformat e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut drejt  anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE si edhe qasjen e re ndaj fqinjëve. Në këto arritje ka kontribuar edhe pjekuria e faktorit politik shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresi, integrimi dhe evropianizimi.”, nënvizoi Kryetarja Nikolla. Duke folur për rrugëtimin evropian të të dy vendeve dhe plotësimin nga ana e tyre të të gjitha rekomandimeve të Këshillit Evropian, Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Historia dhe inercitë e të kaluarës nuk duhet të pengojnë të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të popujve tanë.” Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, falenderoi Kryetaren Nikolla për këto vlerësime dhe vuri në dukje se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e progresit dhe të reformave integruese dhe shqiptarët dhe forcat politike që i përfaqësojnë ata do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin, progresin dhe evropianizimin e Maqedonisë së Veriut. Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Xhaferi diskutuan edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, si edhe rritjen e rolit të kuvendeve në nxitjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00