
Nën kujdesin e Ministrit të Jashtëm në Detyrë, z. Gent Cakaj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon për herë të parë një Akademi Diplomatike Kombëtare, me pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë nga rajoni, të cilët do të mblidhen në Tiranë, nga 9 deri në 27 nëntor 2020.
Qëllimi i kësaj Akademie Diplomatike Kombëtare, është njohja e të rinjve shqiptarë nga rajoni me historinë e diplomacisë shqiptare dhe rolin që kjo diplomaci ka luajtur për çështjen kombëtare, paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.
Përmes një programi të zgjeruar me temë: Diplomacia e Shqipërisë: Rajoni, Evropa dhe Politika Shumëpalëshe; pjesëmarrësit do të njihen me aspektet historike dhe ato aktuale të diplomacisë shqiptare, si dhe do të kenë mundësi të zhvillojnë vizita njohëse në qendrat e rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare.
Njoftimet mbi kriteret dhe mënyrën e aplikimit, si dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve, do të koordinohen në bashkëpunim me Ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë mbaruar të paktën programin Bachelor (kopjen e diplomës të Bachelor, Master apo Doktorature);
- Të paraqesin një letër motivimi për ndjekjen e Forumit;
- Të shoqërojnë jetëshkrimin e tyre (CV me foto, adresë elektronike dhe numër telefoni) me dy letra reference.
MEPJ si organizatore mbulon të gjitha shpenzimet për periudhën e qëndrimit në Tiranë, 9-27 nëntor 2020, me përjashtim të udhëtimit nga vendi i rezidencës për në Tiranë dhe kthim.
Dokumentacioni i kërkuar do të dërgohet në e-mail: dbnj.rek@mfa.gov.al, brenda datës 15 tetor 2020.