
Më 24 gusht 2015, Ministri i Punëve te Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, z. Daniel Mitov, ishin të ftuar nderi të Ministrit te Punëve te Jashtme të Maqedonisë, z. Nikola Poposki, në Konferencën e Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë.
Në panelin e Konferencës së Ambasadorëve, Ministrat Bushati, Poposki dhe Mitov, u fokusuan në çështjet kryesore të politikës së jashtme të BE-së dhe perspektivat e anëtarësimit në BE, në çështjet e bashkëpunimit në NATO, parë në këndvështrimin e përgatitjeve për Samitin e Varshavës, në rëndësinë që ka për rajonin tonë zgjerimi i bashkëpunimit dhe ndërveprueshmëria, si dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Gjithashtu, Ministrat zhvilluan dhe një takim trelateral ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes vendeve dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Në konferencën për shtyp, Ministri Bushati u ndal në zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe bashkëpunimin rajonal ku theksoi se: "Zbatimi i plotë i Marrëveshjes se Ohrit dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike janë busull orientimi për stabilitetin demokratik te Maqedonisë. Çka do te ketë një impakt pozitiv në marrëdhëniet me Shqipërinë si dhe për qëndrueshmërinë e reformave shtet ndërtuese të Maqedonisë".
Në vijim, duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, Ministri Bushati shprehu mbështetjen për procesin e reformave të ndërmarra në Maqedoni dhe të dakordësuara me BE-në, si dhe nënvizoi rëndësinë që kanë për suksesin e këtyre reformave marrëdhëniet ndëretnike, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe përfaqësimi më i mirë i shqiptarëve. Tre Ministrat, në përfundim të takimit nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi proceset integruese euro-atlantike ne rajon
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati zhvilloi takim me Zv.Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, z. Fatmir Besimi me te cilin u bisedua për zhvillimet më të fundit ne Maqedoni ku Ministri Bushati evidentoi nevojën e zbatimit të plotë dhe pa zvarritje të Marrëveshjes së Ohrit, si busullën për të ardhmen dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe ankorimin e saj në rrjedhat euro-atlantike. Gjithashtu, Ministri Bushati zhvilloi një takim me një grup përfaqësuesish shqiptarë nga shoqëria civile me te cilët diskutoi për zhvillimet në vend dhe kontributin e shoqërisë civile në konsolidimin e proceseve demokratizuese.