Ministri në Detyrë Cakaj në vizitën e tij në Shkup, takime dypalëshe me partitë shqiptare

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në vizitën e tij të parë në rajon, zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kryediplomati u takua me Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, si dhe me Kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi. Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.
“Vizioni dhe vokacioni i padiskutueshëm i faktorit shqiptar në mbështetje të integrimeve Euro-Atlantike, rezultoi vendimtar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës” u shpreh Ministri në Detyë Cakaj. Në këto takime u fol gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm të mbarë spektrit politik shqiptar ne proceset e shtetkonsolidimit.
“Konsolidimi i stabilitetit dhe prosperitetit, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për të gjithë rajonin, është një punë e vazhdueshme dhe proces i cili kërkon domosdoshmërisht edhe vazhdimin e angazhimit dhe ruajtjes së koherencës mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Ministri në Detyrë Cakaj në takimet me Kryetarët e Partive Politike Shqiptare.
Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit të dy vendeve në Bashkimin Europian dhe pritshmërisë së tyre për marrjen e një përgjigjeje pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00