Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mirëpriti në një takim homologun e saj, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut i kanë plotësuar kushtet për miratimin e kornizës negociuese, si dhe për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.
“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, tha ministrja në deklaratën e përbashkët për shtyp.
Kryediplomatja Xhaçka vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si vendimtar në proceset euro-atlantike dhe si një urë lidhëse miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, ministri Osmani u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy vendeve, duke theksuar se kjo do të sjellë një impuls të ri në rajonin e Ballkanit. Gjithashtu, ai u shpreh entuziast për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e diasporës si dhe bashkëpunimin tre palësh Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Bullgari.
Ardhja e Ministrit Osmani në Tiranë shënon vizitën e parë të një Ministri të Jashtëm në Shqipëri, që prej ardhjes së Ministres Xhaçka në krye të MEPJ.