Kryeministri Edi Rama: Kujtoj kur në Shqipëri ra tërmeti, ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që mbërritën me shpejtësi dhe mes tyre ishin edhe forcat e kërkim-shpëtimit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Çfarë kuptuam ne në atë moment tragjik?
Ne kuptuam sesa e rëndësishme ishte që të mos ndiheshe vetëm dhe sa e vlefshme ishte që në një terren të shkatërruar, ku kishte qindra jetë njerëzish nën gërmadha, të kishe më shumë forca. Sot, ne kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë në çdo rast ku, larg qoftë, secili nga vendet tona përballet me forcat e natyrës. Tani më thoni ose të çohet një ndër shumë më të mençurit se unë e të më thotë se çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën, që të bashkoheshin në këtë nismë, e cila hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku, të stërviten së bashku hera-herës, të kenë një sitëm të përbashkët alarmi dhe bashkërisht të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar, apo në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike, por edhe për shkak të veprimeve kriminale sipërfaqe të tëra pyjesh digjen, ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty, të gjithë bashkë, që forcat e specializuara për shuarjen e zjarreve të jenë të gjithë aty, bashkë. Ky është shpirti i kësaj nisme. Nuk dua të flas më shumë.
– Zoti Rama, a do të ndani të njëjtat parime me Kosovën, siç bëtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Kryeministri Rama: Po e përsëris që jo vetëm unë, por të tre ne e kemi thënë, rithënë e stërthënë jo vetëm me gojë, por edhe në deklaratat tona që kjo nismë nuk është ekskluzive, por është inkluzive. Nuk është përjashtuese, por është gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, kjo nismë është një nismë e hapur dhe e lirë për të gjithë vendet që të veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre. Shqipëria do ta bëjë këtë proces me të gjithë, kur dhe si të jetë e mundur. Nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona, qofshin qytetarë, qofshin subjekte biznesi të kenë një hapësirë lirie europiane brenda rajonit tonë. Nuk ka asnjë problem për këtë. Këtu dua të shtoj diçka që e kam thënë në më shumë se një rast, meqë pyetja ishte e drejtpërdrejtë për Kosovën, që Serbia dhe Presidenti i Serbisë kanë bërë një extramile, duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse, por të shkojë përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Që do të thotë që në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e diskriminuar, nuk ka asnjë qytetar në këtë territor që të jetë i diskriminuar. Përtej çështjes së hapur mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nismë iu thotë popujve, individëve dhe bizneseve që ju jeni të barabartë përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe që është në rrugën e trajtimit në dialogun e vështire midis dy vendeve.
Ky është një oportunitet kolosal për të gjithë shoqëritë tona. Ky është një potencial i madh dhe ne nuk kemi jo luksin që nuk e kemi dhe nuk e kemi, por ne nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar. Nuk kemi të drejtë t’i privojmë vendet tona, shoqëritë tona nga rritja e drejtpërdrejtë ekonomike, që nuk e themi ne, nuk e thonë ekspertët e Ministrisë së Financave në Beograd, në Tiranë apo në Shkup. E thonë organizmat globale financiare, e thotë Banka Botërore. Hyni në këtë proces dhe do të keni rritje të ekonomisë, rritje të GDP-së tuaj.
Si mundet ne t’i themi jo e për çfarë arsye?
Nëse del dikush dhe thotë në këtë nismë ja ku është e keqja, ja ku është konspiracioni, ja ku është e fshehta, por me fakte. Atëherë unë kërkoj falje. Por këtu nuk ka asnjë të fshehtë, asnjë të keqe, asnjë konspiracion. Kjo është nismë që i flet të ardhmes dhe që komunikon për të ardhmen. Sa më shumë ne të komunikojmë për të ardhmen, aq më shumë do të kem lehtësi për të trajtuar dhe të shkuarën. E shkuara nuk mund të mbajë peng popujt.
Ne jemi gati që të gjitha këto marrëveshje t’i bëjmë me të gjithë. Ne pa hyrë fare në këtë proces, kemi bërë ligjin për t’i trajtuar qytetarët e rajonit të barabartë me qytetarë e BE-së kur vjen puna te lejet e qëndrimit dhe lejet e punës, njësoj. Është absurde që ne në vendit tona qytetarët e Be-së i trajtojmë sikur janë qytetarë të dorës së parë dhe qytetarët e vendeve fqinje i trajtojmë sikur janë qytetarë të dorës së dytë. Kjo është nonsens. Këtë ne e kemi bërë. Nisma jonë, e të treve ne do të jetë inkluzive për të gjitha ato pjesë që nuk kanë lidhje me vullnetin e qeverive. Ne nuk do t’i ndajmë të rinjtë në të rinj të dorës së parë e të rinj të dorës së dytë, nëse vjen fjala për lëvizjen universitare, shkollore e olimpike, nëse vjen fjala për mundësitë për të bashkëpunuar për kulturën, kinematografinë etj..
Ne nuk mund dot të vendosim për qeveritë e tjera kur vjen fjala për marrëveshjet e lëvizjes së lirë të mallrave. Ne në 1 janar të 2023-it do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufi. Të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë të na bashkëngjiten. Nëse vijnë, askush nuk i pengon. E boll me këtë “na ftuan, nuk na ftuan”. Ishim në Tiranë, të gjashtë vendet për të diskutuar dhe edhe aty, diferenca ishte e qartë. Disa duan, disa nuk duan. Nuk ka problem, por ajo që thashë aty, e përsëris këtu, autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh e ta kesh të pakërcënuar. Kështu që unë bashkohem plotësisht me bindjen që politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia, rinia.
– Si do t’i parandaloni problemet doganore si, përshembull, kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjet?
Kryeministri Edi Rama: Bashkëpunimi është shumë i thjeshtë. Një kamion me mall, për të hyrë në rajonin tonë, pret njëherë matanë rajonit me orë të tëra. Apo për të dalë nga rajoni ynë pret mesatarisht 10 orë për të hyrë në zonën e Bashkimit Europian. E përveç këtyre 10 orëve i duhen dhe aq herë 10, minimumi, për të shkuar në destinacion brenda për brenda rajonit.
Ne nuk kemi asnjë të drejtë që të mos ia kursejmë sipërmarrjeve dhe prodhuesve tanë këtë torturë, duke e çuar në zero kohën e qëndrimit nëpër kufij. Por kjo ka edhe mundësinë tjetër, që, duke njehsuar sipas standardeve të Bashkimit Europian certifikatat e sigurisë ushqimore apo të gjitha certifikatat e tjera të nevojshme për lëvizjen pa ndalim nëpër kufij, ne krijojmë një zonë që do donim të ishte e të gjashtë vendeve dhe kështu do jetë një ditë, ata vetëm humbin kohë, por le të themi të këtyre vendeve që janë të përfshira, që së bashku i kërkojnë Bashkimit Europian që për mallrat tona, bazuar në standardet e njehsuara europiane të dokumentacionit, të heqin orët e pritjes edhe kur hynë në Europë apo kur dalin nga Europa. E kemi shumë më të fortë argumentin, jo vetëm për shkak të standardit, por dhe për shkak të masës kritike që krijojmë duke qenë më shumë sesa një vend. Shqipëria më vete mund t’i bëjë standardet. Serbia më vete mund t’i bëjë standardet. Po kështu Maqedonia e Veriut. Nëse këto standarde nuk janë të njohura reciprokisht e të vlefshme për çdo vend, pavarësisht se cili laborator i ka nxjerrë, ne mbetemi prapë në kufijtë tanë, prapë të izoluar, prapë të mbyllur. A thua se nuk na mjafton kufiri rreth e rrotull i Bashkimit Europian, por na duhen edhe këta kufijtë tanë qesharakë që kemi me njëri-tjetrin dhe që torturojmë njerëzit tanë.
E dyta; Sot, volumi i mallrave që vijnë në rajon drejt vendeve të tjera, përjashto Shqipërinë dhe në një pjesë, jo në shumë, por në një pjesë, Kosovën, vijnë nga Selaniku, me det ose nga lartë. Transformimi i rajonit në një zonë që ka hyrjen dhe daljen e vet është vlerë e shtuar për të gjithë. Janë ca që thonë, Serbia po merr me paqe, detin që nuk e mori me luftë. A e kuptoni se ku kemi arritur në shekullin XXI!
Kjo duhet të jetë e vlefshme për të gjitha vendet dhe i gjithë rajoni duhet të jetë një hapësirë pa kufi. Unë jam i bindur që forca e shembullit, jo shembulli i forcës do t’i sjellë edhe të tjerët, më herët se vonë, në këtë proces, se do ta kuptojnë duke parë rezultatet. E kjo që kemi bërë sot e ajo që do bëjmë në vijim në Beograd, pastaj prapë në Tiranë, pastaj prapë këtu, pastaj prapë atje, nuk është më një tur për të folur, – ne do vazhdojmë të flasim e të shpjegojmë, – por është për të hedhur hapa konkret e do të kemi të tjera marrëveshje, do të kemi të tjera angazhime. Në 1 janar të 2023-it, kjo hapësirë do të jetë njësoj sikur je në një zonë mes tre vendeve të Bashkimit Europian. Të tjerët do e gjejnë gati, se ndërkohë janë bërë të gjitha përpjekjet, vetëm do humbin kohë, nëse nuk e bëjnë sot. Do vijnë ta bëjnë nesër. Do vijë edhe Bosnja, edhe Mali i Zi, edhe Kosova, sepse do vijnë njerëzit, do vijnë bizneset, do vijnë ata që janë arsyeja pse ne ekzistojmë, siç tha Zorani. Nuk ekzistojnë ata prej nesh, ekzistojmë ne prej tyre.
– Flitet për mangësitë që kemi në rrugë e hekurudha. Çfarë do të bëni për të përmirësuar funksionimin e tyre dhe do të shtrihet kjo nismë me projekte në këtë fushë?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi një rajon që ka nevojë për interkonektivitet. E vërteta është që përsa i përket rrugëve, vendet po bëjnë progres. Serbia ka bërë progres të konsiderueshëm. Po kështu Maqedonia e Beriut. Besoj që e njëjta gjë mund të thuhet për Shqipërinë. Por jemi në kushtet kur kemi një boshllëk të madh në infrastrukturën hekurudhore e unë shpresoj që të tre vendet së bashku të mund të vënë në dispozicion të transformimit të hekurudhave e të gjithë transportit hekurudhor burimet e tyre më të mira njerëzore, për të pasur një vizion e një program të përbashkët zhvillimi për të gjithë rajonin. Pastaj, sigurisht, secili vend ka sovranitetin e vet në pjesën e vet, por së bashku ne mund t’i drejtohemi Komisionit Europian për atë pjesë të planit ekonomik të investimeve që lidhet me hekurudhat.
Së dyti, për energjinë, unë jam absolutisht i bindur që ne jemi mjaftueshëm të alarmuar lidhur me perspektivën në rast se nuk bëjmë hapat e duhur, por jemi mjaftueshëm të pasur në këtë rajon që t’i bëjmë hapat e duhur. Kështu që edhe për energjinë, ne do të punojmë bashkërisht, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë jo vetëm në nivelin kombëtar, por dhe në nivelin rajonal në funksion të interesave kombëtare të çdo vendi.
Së treti, për dixhitalizimin.
Të tria këto janë nevoja të mëdha tonat, por janë dhe tre drejtime të planit ekonomik të investimeve të BE-së. Të vetëm jemi të vegjël dhe e kemi zërin më pak të dëgjueshëm. Së bashku jemi më të konsiderueshëm përsa i përket potencialit të investimeve, por edhe zërin e kemi më të fortë, sepse, siç e shikoni, mjafton të mblidhemi ne në fund të korrikut, në Shkup, që nuk ka as det dhe në vend të na qajnë hallin që po mblidhemi në mes të vapës, qajnë hallin e tyre se çfarë po bëjnë këta. Është shumë domethënëse.
Faleminderit!