20 nëntor 2017
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u prit sot nga homologu i tij, Presidenti Gjorge Ivanov. Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.
Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen evropiane të dy vendeve tona.
“E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimi i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal.” – u shpreh Presidenti Meta.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie. Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane.
Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, Presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve.
Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit.
“Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese.”, – theksoi Presidenti Meta.
Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë Presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.
· Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryetarin e Asamblesë, zotin Talat Xhaferi.
Presidenti Meta e uroi edhe njëherë zotin Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se, ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe.
Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Presideti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm ku ndodhet Maqedonia dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.
20 nëntor 2017
· Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Zoran Zaev.
Presidenti Meta e uroi Kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të Qeverisë së re për përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe të krijimit të një marrëdhënieje sa më pozitive me vendet fqinje.
“Marrëdhëniet e mira ndër-etnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit.” – u shpreh Presidenti Meta.
Edhe në takimin me Kryeministrin Zaev, Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euroatlantike të të dy vendeve.
“Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë.” – u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë vitit 2018, si dhe e siguroi Kryeministrin Zaev mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.
Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta theksoi se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme.
Ata shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy Qeverive, në Pogradec, do adresohen të gjitha këto çështje që lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e gjithanshëm mes dy vendeve.
· Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Presidenti Meta u takua me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti; me kreun e BESA-s Bilal Kasami, me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela si dhe me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.
Gjatë këtyre takimeve Presidenti Meta vuri në dukje dhe theksoi rolin kyç të faktorit politik shqiptar për harmoninë ndëretnike në Maqedoni, si dhe nënvizoi rëndësinë që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese euro-atlantike të Maqedonisë.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni për integrimet euro-atlantike dhe sigurinë rajonale.
Gjithashtu Presidenti i Republikës zhvilloi një takim të veçantë edhe me kryetarin e opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE), Nikolla Gruevski gjatë të cilit theksoi rëndësinë që ka roli i opozitës në të gjitha proceset euro-integruese të Maqedonisë.
21 nëntor 2017-Manastir, Maqedoni
· Në kuadër të vizitës zyrtar në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
I mikpritur nga Kryetarja e Komunës Natasha Petrovska, me të cilën zhvilloi fillimisht edhe një takim si dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, Presidenti Meta vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pastaj mori pjesë në simpoziumin e zhvilluar me rastin e 109-vjetorit të kësaj ngjarje të shënuar historike për kombin shqiptar.
· Fjala e Presidentit të Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta në simpoziumin kushtuar 109-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe:
“I nderuar zoti Zëvendëskryeministër,
E nderuara zonja Kryetare e Komunës,
Të nderuar studiues, historianë dhe pjesëmarrës,
Zonja dhe Zotërinj,
Ju falënderoj për ftesën tuaj dhe ndihem shumë i lumtur dhe i nderuar të jem mes një auditori kaq të veçantë e të nderuar, shkrimtarësh, historianësh, albanologësh, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare.
Njëqind e nëntë vjet më parë, në qytetin e vjetër të Manastirit, përfaqësuesit më të spikatur e të mençur të Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtarë të shquar, të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore dhe atdhetare, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, alfabetit të gjuhës shqipe.
22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, momenti kyç e përbashkues që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi pikën më kulmore të organizimit politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë që do t’i paraprinte shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Kongresi i Manastirit, vlerësohet me të drejtë për rëndësinë e tij politike e kulturore, por dy janë arritjet më kryesore të tij, akti historik i institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe përqafimi i modelit të alfabetit perëndimor, alfabetit latin.
Ndaj edhe sot, pas njëqind e nëntë vjetësh, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, kryeqytetit të alfabetit shqip, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.
36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë.
Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Me këtë alfabet u hartua edhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni për mbrojtjen e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por edhe traktatet e miqësisë mes vendet fqinje.
Me këtë alfabet, ne shqiptarët do të shkruajmë edhe ardhmërinë e sigurt e të plotë të të gjithë shqiptarëve. Ky është thesari më i çmuar dhe trashëgimia më e rëndësishme që të parët tanë e fituan me shumë mundim dhe në kohë të vështira për kombin tonë.
Jam shumë i gëzuar që godina historike e Kongresit të Manastirit, që unë sa e vizitova, do t’i nënshtrohet restaurimit dhe do t’i rikthehet rëndësia e saj historike dhe muzeale e, shpresoj shumë që ky monument të kthehet në një vend pelegrinazhi për ne, veçanërisht për fëmijët tanë, të cilëve duhet t’u mësojë më shumë për historinë tonë dhe t’ju ushqejmë dashurinë për atdheun, kombin dhe gjuhën tonë amtare.
Na takon të gjithëve të jemi shumë të përkushtuar dhe të vëmendshëm të ruajmë këtë trashëgimi e ta përcjellim në brezat që vijnë, sepse nëpërmjet gjuhës sonë të dashur përcjellim historinë, kulturën, traditën, simbolet, vlerat mes nesh, por edhe ndaj të tjerëve.
Gjuha është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e një kombi, shtylla kurrizore e tij, tipari unik dhe identifikues i tij.
Suksese në punimet e këtij simpoziumi!
Ju faleminderit!”