Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti akademinë solemne kushtuar 111-vjetorit të “Kongresit të Dibrës”, të mbajtur në Venec të Dibrës së Madhe, në të cilin ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Fatos Reka, kryetari i Komunës Hekuran Duka, autoritete qendrore e vendore, klerikë, historianë e përfaqësues nga diaspora shqiptare.
Në kuadër të përkujtimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, Presidenti Meta vlerësoi personalitete të shquara me kontribut të veçantë, të propozuara nga Komuna e Dibrës si dhe nga Shoqata “Bashkësia Dibrane”.
Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta dekoroi Komunën e Dibrës së Madhe me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për rolin dhe kontributin historik në organizimin e veprimtarive me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës. Njësi administrative që mban gjallë ndjenjën kombëtare dhe ruan lidhjet me bashkësinë tradicionale dibrane në Tiranë”.
Kreu i Shtetit shqiptar dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Teodor Jovan Dibranin (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të tij për çështjen kombëtare shqiptare. Udhëhoqi shqiptarët e Dibrës për përdorimin e gjuhën shqipe në shkollën e Nistovës së Rekës, si dhe në ceremonitë kishtare.” dhe Tofik Jegenin (pas vdekjes) si “Figurë e dalluar e çështjes kombëtare. Luftoi me të gjitha energjitë dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi. Pjesë e klubit patriotik ‘Bashkimi’. Delegat në ‘Kongresin e Dibrës’”.
Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Presidenti Meta çmoi Selim Rusin (pas vdekjes) “Për kontributin e shquar në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare. Veprimtar i shquar në zgjimin kombëtar shqiptar dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës. Për rolin e spikatur në përparimin e të drejtave të shqiptarëve në trevën e Dibrës” dhe Shefki Shatkun (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të shquar si luftëtar udhëheqës i trupave për liri dhe pavarësi. Pjesëmarrës në shumë veprimtari luftarake për mbrojtjen e atdheut; për kontributin e veçantë në krijimin, përforcimin e artit të luftës dhe punime në fushën e saj”.
Gjithashtu Presidenti Meta nderoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotin Mexhit Capa “Për kontributin e palodhur, duke mbajtur gjallë veprimtaritë shkencore, kulturore dhe historike mes Dibrës së Madhe dhe bashkësisë tradicionale dibrane në Tiranë. I dalluar për shpirtin njerëzor dhe paraqitjen e vlerave atdhetare e patriotike”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“Jam shumë i lumtur mes jush, në vendin e Kastriotit, aty ku jo vetëm lindi, por edhe ku zhvilloi shumicën e betejave të tij Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe i fitoi të gjitha.
Pranova me kënaqësi të veçantë ftesën për të marrë pjesë në këtë akademi solemne kushtuar 111-vjetorit të ‘Kongresit të Dibrës’, që ishte pikënisje e kryengritjeve mbarëkombëtare për liri dhe pavarësi, deri në ‘Kuvendin e madh të Vlorës’ më 28 nëntor 1912.
‘Kongresi i Dibrës’ i vitit 1909, përfaqëson një pikë kthese dhe një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare. Edhe pse, mendimet dhe idetë ishin të ndryshme në Kongres, patriotët shqiptarë, që në fillim u treguan tepër aktivë për t’u paraprirë të gjithë të papriturave.
Platforma e përgjithshme që i bashkoi delegatët në këtë kongres, ishte bashkimi i forcave dhe qasja e pikave të programit të ‘Kongresit të Dibrës’, si një platformë tipike kombëtare.
Kancelaritë e huaja dhe rilindasit do të shkruanin në shtypin e kohës mbi fuqinë dhe fjalën e delegatëve në këtë kongres dhe qëndrimin e tyre emancipues me kërkesat që ata parashtruan.
Patrioti dhe rilindasi dibran, luftëtari i lirisë, Josif Bageri, në kryeartikullin e tij tek ‘Shqypja e Shqypnis’, e datës 1 gusht 1909, do të vlerësonte në piedestal se: ‘Ai kongres ishte i mbushur me ide kombëtare dhe përparimtare’.
Në këtë kohë klerikët si Vehbi Dibra dhe Hafiz Sherif Langu shquhen për aktivizimin e tyre si ndër pjesëtarët më në zë të klubit ‘Bashkimi’, që ishte hapur në Dibër të Madhe, në dhjetor të vitit 1908, po edhe kudo në çdo vatër Rilindase.
Pranë tyre dhjetëra anëtarë aktivë zhvillonin një aktivitet të gjerë në qytet dhe në krahinat për rreth, për të mbajtur gjallë në popull dashurinë për atdheun, dëshirën për të kënduar e për të shkruar shqip.
Bashkëmendimtar me idetë e tyre për të kaluar në një mbrojtje kombëtare me armë në dorë ishin patriotët Elez Isufi, Suf Xhelili, Dine Maqellara dhe shumë kapedanë të tjerë.