Shqipëria për KS 2022 – 2023

Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet më datë 11 qershor 2021, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. Grupit të Evropës Lindore ku bën pjesë vendi ynë i takon një vend si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Falë lobimit të suksesshëm shumëvjeçar dhe fushatës intensive të kryer nga gjithë strukturat e Shërbimit të Jashtëm, Shqipëria paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit që i përkasim që do të thotë se, jemi kandidaturë e vetme dhe zgjedhja është e sigurt.
 
Përbërëse themelore e fushatës së Shqipërisë për këtë detyrë ka qenë theksimi i besueshmërisë dhe konstruktivitetit të politikës së jashtme të vendit tonë, si në planin e dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh, përfshirë edhe në kuadër të misioneve të OKB-së, në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në nivel rajonal dhe global. Kontributet tona shumëvjeçare e bëjnë Shqipërinë të meritojë dhe detyra vendimmarrëse në nivelin global.
 
Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit për herë të parë pas 65 vitesh që jemi anëtarë të OKB-së, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer që ndoshta do duhen dekada të përsëritet.
 
Çfarë do të thotë anëtare jo e përhershme?
 
Këshilli i Sigurimit përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë, pesë prej të cilëve (Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Rusia), janë anëtarë të përhershëm të Këshillit. Anëtarët e përhershëm gëzojnë edhe të drejtën e vetos që do të thotë se, ato mund të bllokojnë çdo vendim që bie ndesh me ato linja të politikës së tyre të jashtme që prej këtyre vendeve konsiderohen të panegociueshme.
 
Dhjetë të tjerët janë anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, mandati i të cilëve është dy vjeçar. Për të siguruar freskim periodik të anëtarësisë pa cënuar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e punës së këtij organi aq të rëndësishëm, çdo vit zgjidhen pesë anëtarë të rinj jo të përhershëm që zëvendësojnë pesë të mëparshëm që përfundojnë dy vitet e shërbimit në Këshill.
 
Në parim, të pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit përfaqësojnë në mënyrë aq të ekuilibruar sa është e mundur të gjithë anëtarësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas kontinenteve dhe rajoneve gjeostrategjike. Janë gjithsej pesë grupe rajonale, ndër të cilët është edhe Grupi i Evropës Lindore me 23 anëtarë (ku përfshihet edhe Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit). Grupi ynë ka një vend anëtari jo të përhershëm të rezervuar. Mandati i Shqipërisë si kandidaturë konsensuale e këtij grupi fillon më 1 janar 2022, duke zëvendësuar përfaqësuesen aktuale të po këtij grupi, Estoninë.
Për më shumë vizitoni faqen: 
https://punetejashtme.gov.al/al/shqiperia-per-ks-2022-2023/

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00