Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev në sesionin plenar të mbledhjes së parë të dy qeverive:
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Shumë i nderuar Kryeministër Zaev, i dashur Zoran!
Të nderuar ministra dhe ministre!
Është një kënaqësi e posaçme për të gjithë ne në anën e Qeverisë së Shqipërisë t’ju urojmë mirëseardhjen këtu në Pogradec, ku, përgjithësisht, njerëzit e këtij vendi e lidhin gjithmonë këtë qytet të mrekullueshëm me një nga bijtë më të dashur dhe padyshim një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë dhe europianë, Lasgush Poradecin. Pjesa më e madhe e fjalës dhe e vargut të tij magjik i kushtohet pikërisht këtij liqeni, kësaj pasurie të jashtëzakonshme dhe të përbashkët.
Prandaj besoj se ajo i përshtatet më së miri edhe qëllimit të kësaj mbledhjeje të parë mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që jemi shpresëplotë se çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë sonë të mirë, ndërthurur me interesa të përbashkëta gjeografike, historike, kulturore, socio-ekonomike dhe jo në plan të fundit, gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë, mikja më e mirë e Maqedonisë që prej pavarësisë së saj, çka të gjitha qeveritë e Shqipërisë e kanë dëshmuar në mënyrë të palëkundur në të gjitha etapat e zhvillimit tonë demokratik dhe posaçërisht përsa i përket kursit euroatlantik. Të njëjtën qasje treguam dhe përgjatë krizës së rëndë që mbërtheu vendin, e cila jo vetëm mbajti peng proceset integruese, për të cilat një dekadë më parë, Maqedonia ishte në pararojë, por rrezikoi të kthehej në një konflikt ndëretnik, me pasja të rënda për të gjithë rajonin.
Më lejoni me këtë rast të përsëris se askund më shumë dhe askush më shumë sesa ne nuk e ka përjetuar me entuziazëm mbylljen e një cikli të trazuar për Maqedoninë dhe hapjen e një cikli të ri. Njëherësh me partnerët e mëdhenj të Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera partnere, ne u ndjemë të inkurajuar nga lidershipi kurajoz i Kryeministrit Zaev, pasi të gjithë jemi dëshmitarë se qasje të tilla nxiten nga dëshira për të ndërtuar shoqëri dhe vende tërësisht demokratike, media të lira, drejtësi të pavarur, institucione funksionale dhe kohezion social-ekonomik.
Me të njëjtin inkurajim vlerësuam dhe mirëpritëm hapat konkretë që po ndërmerren për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët dhe përpjekjet për të investuar në një vizion pozitiv për rajonin. Bazuar në këtë moment shumë pozitiv, ne i kemi rigjallëruar intensivisht kontaktet dhe marrëdhëniet. Përpos vizitave dhe takimeve të shumta dypalëshe, që nga Samiti i Triestes, takimi në Durrës me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, së fundi, ai në Sofje, me Kryeministrin Zaev kemi ndarë angazhimin dhe vendosmërinë për të kontribuar aktivisht në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga pikëpamja ekonomike, infrastrukturore, pa barriera të çfarëdollojshme në qarkullimin e kapitalit, të njerëzve dhe të ideve.
Besoj se për këto dhe për shumë arsye të tjera, ky takim i sotëm mund të konsiderohet si një moment kyç në historinë tonë të përbashkët, jo vetëm për faktin se është formati i parë i këtij niveli mes qeverive të dy vendeve, por, pikërisht dhe për së pari, për faktin se sot, ne jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët në ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm afatgjatë dhe për t’i ngritur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në një stad të ri cilësor. Kjo patjetër që kërkon një orientim të posaçëm strategjik, prandaj dhe axhenda e punës që kemi përcaktuar bashkërisht dhe që gjen shprehje në Deklaratën e Përbashkët që do të nënshkruajmë në përfundim të kësaj mbledhjeje, ka një qasje konkrete përmbajtjesore dhe synon rezultate.
Pikë së pari, si dy vende fqinje kemi detyrimin të ofrojmë më shumë zhvillim dhe të punojmë për më shumë mirëqenie për qytetarët tanë, duke përmirësuar standardet e ndërlidhjes mes njëri-tjetrit, që janë edhe njëherësh objektiv kyç i Procesit të Berlinit, ku bashkarisht dhe me të tjerët jemi plotësisht të angazhuar. Për këtë do të angazhohemi në modernizimin e një lidhjeje më të mirë të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike. Jemi të vendosur të punojmë për zbatimin dhe përfundimin e projekteve madhore me potencial zhvillimor për të dy vendet.
Gjej rastin të nënvizoj me kënaqësi se për pjesën tonë të Korridorit të 8-të është rehabilituar tërësisht aksi rrugor Durrës-kufiri me Republikën e Maqedonisë dhe është parashikuar për një periudhë të shkurtër rehabilitimi, ndërtimi i segmentit rrugor Qafë Thanë-Pogradec-Korçë; Gjithashtu, po punohet për ndërtimin e segmentit rrugor Qukës-Qafë Plloçë; Hekurudha në linjën Durrës-Elbasan-Pogradec dhe seksionin kufitar Lin -Republika e Maqedonisë, për çka është përfituar edhe një mbështetje financiare nga fondi investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Me të njëjtën ambicie do të ndërmarrim përsipër harmonizimin e përpjekjeve me ju, me Maqedoninë, për një tjetër projekt strategjik, Rrugën e Arbrit që lidh Tiranën në kufirin me Republikën e Maqedonisë, sipas itinerarit: Tiranë-Ura e Brarit, Bulqizë, Bllatë dhe Peshkopi. Dëshiroj t’ju njoftoj se segmenti Bulqizë-Bllatë - Ura e Cerencit ka përfunduar, ndërsa janë në proces ndërtimi i segmenteve: Ura e Brarit- hyrje tuneli Qafë Murrizë, Dalje Ura e Vashës - Bulqizë dhe Dalje Ura e Vashës- hyrje tuneli Qafë Murizë.
Nuk ka dyshim për ne, se vijueshmëria e këtij korridori nga Bllata deri në Shkup do sjellë përfitime të mëdha për ekonomitë e dy vendeve, njëherësh me shkurtimin e distancës mes Tiranës e Shkupit, si dhe do të lehtësojë më tej aksesin e Maqedonisë në portet tona.
Ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një studimi të thelluar mjedisor nga pala maqedonase. Për këtë kemi diskutuar edhe me Kryeministrin, por jemi besimplotë se kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij aksi është i plotë edhe nga ana juaj dhe në këndvështrimin e fuqizimit të mesazhit të fortë të qeverisë suaj dhe të Kryeministrit për forcimin e themeleve të bashkëjetesës mes shqiptarëve e maqedonasve, ky projekt është themelor.
Por konektiviteti si objekt prioritar për këtë mbledhje dhe për punën tonë të ardhme nuk mund të kuptohet natyrisht dhe as mund të konceptohet pa liberalizimin e mëtejshëm të transportit rrugor, qarkullimit të mallrave, modelit One Sto Shop, heqjes së barrierave jo fizike, si dhe thjeshtësimit të shërbimeve në kufi. Prandaj, ne do të punojmë që bashkërisht të sigurojmë lëvizjen e lirë të mallrave dhe të shërbimeve, duke modernizuar procedurat kufitare, duke përmirësuar performancën e monitorimit të korridoreve tregtare dhe duke krijuar mekanizmat e duhur për reduktimin e kostove logjistike. Për këtë qëllim, palët do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të krijuar një pikë të përbashkët kalimi dhe doganë në kufirin Qafë Thanë, ndërsa do të shihet mundësia e rikualifikimit të pikës së kalimit kufitar Xhepisht-Trebisht, me regjim 24 orësh.
Në të njëjtën logjikë dhe duke pasur parasysh trendin në rritje të shkëmbimeve tregtare dypalëshe, sidomos fluksin turistik të viteve të fundit nga Maqedonia drejt brigjeve tona, synojmë me përkrahje të ndërsjellë, edhe nismat përkatëse ligjore për nxitjen dhe lehtësimin e eksport-importeve të palëve, njohjen dhe certifikimin e produkteve dhe të standardeve, njehsimin e proceduarave administrative, duke përfshirë lëvizjen e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të profesionistëve.
Këto masa janë pjesë e qasjes sonë, jo vetëm në kuadër të integrimit ekonomik midis dy vendeve tona, por edhe në rrafsh rajonal, veçanërisht në raport me planin shumëvjeçar të veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale në fushat e tregtisë, investimeve, rritjes ekonomike, rrëzimit të barrierave dhe dixhitalizimit.
Objekt i kësaj mbledhjeje është gjithashtu forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe projektet që prekin brezin kufitar mes dy vendeve e për rrjedhojë, popullsitë që jetojnë në të gjithë këtë pellg.
Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë ndër të tjera, pasuri ujore të jashtëzakonshme, që përtej nesh i përkasin trashëgimisë natyrore të njerëzimit, çka është njohur edhe nga UNESCO. Ne kemi privilegjin e madh të gjendemi në brigjet e Liqenit të Ohrit, të Prespës dhe disa damarë lumenjsh shumë të rëndësishëm. Prandaj është koha të rivlerësojmë qasjen e përbashkët për t’i mbrojtur dhe administruar sipas të gjitha standardeve këto pasuri, duke mbajtur parasysh impaktin e tyre në ekosistem, potencialin e tyre turistik dhe bashkëveprimin kulturor.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rivlerësimi i kuadrit ligjor mes dy vendeve. Me Maqedoninë, ne kemi numrin më të madh të marrëveshjeve të nënshkruara me ndonjë vend në rajon. Megjithatë, shumë prej tyre nuk janë jetësuar në terma konkrete dhe për rrjedhojë nuk i janë përgjigjur pritshmërive tona të përbashkëta për zgjerimin dhe fuqizimin sektorial të bashkëpunimit dypalësh. Për këtë arsye, ministritë dhe institucionet duhet të nisin një analizë për shqyrtimin e stadit të deritanishëm të kuadrit normativ dhe të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij kuadri.
Ne nuk mund të lejojmë që, për teknikalitete të vogla, marrëveshje me vlerë të madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, siç është ajo në fushën e arsimit, apo dhe të tjera, të mbeten ende të pazbatuara. Këtë qasje do ta shtrijmë edhe për komitetet e përbashkëta të ngritura deri më tani në fusha të ndryshme. Është gjithashtu koha t’i riaktivizojmë ato në të mirë të mbarëvajtjes së bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve të shumta mes dy vendeve.
Komiteti i Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik do të mblidhet në seksionin e tij të parë, pas shumë vitesh që prej nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse, pikërisht në 3-mujorin e parë të vitit 2018.
Në një nga deklarimet e tij, Kryeministri Zaev e krahason qeverinë e vet me “një koalicion shumëngjyrësh, me njerëz të të gjitha bashkësive etnike, sepse ky është vendi ynë,” - thotë ai. Shqipëria, ne, unë nuk mundet veçse ta përshëndesim, ta inkurajojmë dhe ta mbështesim me gjithë zemër këtë vizion modern, europian dhe thellësisht demokratik.
Shqipëria i ka qëndruar gjithmonë kredos, se ndërtimi i besimit dhe harmonisë mes komuniteteve është thelbësor, jo thjesht për Maqedoninë, por për krejt rajonin tonë. Marrëveshja kuadër e Ohrit përbën një kornizë themelore politike dhe ligjore, për t’i garantuar këto marrëdhënie dhe për të garantuar që në vend se të jenë arsye për të mbetur në vend, apo për të bërë hapa mbrapa, këto marrëdhënie të jenë arsyeja më e fortë për të ecur më shpejt përpara.
Shqiptarët dhe faktori politik shqiptar në Maqedoni kanë qenë mbështetës të vazhdueshëm dhe të palëkundur të aspiratave euroatlantike të Maqedonisë. Prandaj, ne besojmë fort se, sa më parë Maqedonia të bëhet pjesë me të drejta të plota në strukturat euroatlantike, aq më mirë do të jetë jo vetëm për Maqedoninë, por dhe për Shqipërinë e për mbarë rajonin. Këtu merr dhe vlerën më të plotë dhe zbatimi i Marrëveshjes kuadër të Ohrit, që ka qenë dhe do të mbetet baza e një shoqërie multietnike, plotësisht funksionale, si dhe prerogativa më e sigurt e ambicieve të Maqedonisë moderne.
Në këtë kontekst dua ta përgëzoj Kryeministrin për angazhimin e tij personal, kurajën e tij politike dhe vullnetin për t’i kthyer fjalët në vepra, në drejtim të inicimit të ligjit të gjuhëve, si pjesë integrale e paketës së ligjeve prioritetare, që i akordon gjuhës shqipe shtrirje të përdorimit në nivel të gjerë zyrtar administrativ, si dhe akses më të mirë të qytetarëve në shërbime. Ne shpresojmë që ky ligj të miratohet e të zbatohet sa më shpejt.
Bashkë me Kryeministrin kemi rënë dakord të iniciojmë projekte të rëndësishme që e pasqyrojnë frymën e miqësisë dhe respektit dhe që njëkohësisht rrezatojnë me fuqinë e shembullit në mbarë rajonin. Një projekt i tillë është transformimi i Muzeut të Alfabetit të Manastirit në një qendër të përbashkët kulturore rajonale. Pres me këtë rast që ministritë tona të Kulturës ta nisin komunikimin për këtë proces kaq domethënës, kaq kuptimplotë e ku simbolika flet shumë, për të gjithë sëbashku.
E me të njëjtin angazhim, ne kemi punuar e do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit kombëtar maqedonas në Shqipëri. Me miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e pakicave kombëtarë, qeveria shqiptare ka përmbushur një hap madhor me kah europian, duke nxitur më tej respektimin e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare në të gjithë territorin, ku pakica maqedonase zë një vend të veçantë.
Me shumë kënaqësi, sëbashku me Kryeministrin, ne nesër do të vizitojmë Bashkinë e Pustecit. Një bashki që në numër është e vogël, por për ne ka një kuptim të veçantë, si një territor ku duhet të rrezatojë në vijimësi fuqia e shembullit, të respektit për të tjerët dhe garantimi i barazisë së plotë të të gjithëve si qytetarë të republikës sonë.
E thashë dhe më parë e dua ta rinënvizoj, Shqipëria do të vijojë ta mbështesë me të gjitha forcat e veta, anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe këtë e konsiderojmë si një investim të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Pa Maqedoninë në NATO, kuadri tërësor i prezencës së rajonit në klubin më të rëndësishëm, Aleancën e Atlantikut të Veriut, është i cunguar.
Në këtë kontekst dhe bazuar në vizionin e përbashkët për një rajon në paqe, të stabilizuar e të sigurt, ne do të fuqizojmë angazhimin dhe mekanizmat që nxisin bashkëpunimin mes autoriteteve tona të rendit dhe të policisë, menaxhimin e integruar të kufirit, por dhe parandalimin dhe luftën ndaj kërcënimeve afatgjata në rajonin tonë, siç janë fenomeni i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, apo nga ana tjetër, siç janë edhe fatkeqësitë natyrore.
Lidhur me këtë element të fundit, dua edhe sot, këtu në praninë e tij, praninë tuaj, ta përsëris falënderimin publik për Kryeministrin Zaev, për qeverinë tuaj, për solidarizimin e menjëhershëm dhe ndihmën e ofruar në mbështetje të Shqipërisë, në përballimin e përmbytjes më të fundit në disa zona të vendit.
Dëshiroj ta përfundoj duke siguruar se qeveria jonë do të mbetet thellësisht e angazhuar në zbatimin e angazhimeve dhe detyrave që do të identifikojmë bashkërisht në këtë mbledhje të parë dhe bashkërisht do të firmosim si angazhime të përbashkëta pas kësaj mbledhjeje.
Le ta çelim me vullnet të mirë, me vizion emancipues dhe gjithmonë me kurajë, për të parë përtej politikes së ditës, këtë kapitull të ri që i shërben jo vetëm forcimit të miqësisë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe qytetarëve tanë, por i shërben edhe modelit të një rajoni të europianizuar, i cili duke kultivuar bashkëjetesën, duke ndërtuar ura mes njerëzve, duke nxitur prosperitetin ekonomik përmes nxitjes së zhvillimit demokratik, do të jetë më herët se vonë, i gatshëm të zërë vendin që meriton në tryezën e familjes së madhe të bashkuar europiane.
I dashur Zoran, shumë faleminderit për prezencën këtu!
Të dashur miq, shumë faleminderit për prezencën këtu!
Tani, me shumë kënaqësi fjala është për Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë.
Fjala e Kryeministrit Zoran Zaev:
Faleminderit Edi!
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama!
Të nderuar ministra të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë!
Dëshiroj të shpreh respektin për ndërgjegjen që kemi të gjithë këtu, si përfaqësues të qytetarëve të vendeve tona, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, për rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh, miqësor dhe efikas që kemi vendosur.
Kjo seancë qeveritare hap një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së maqedonase dhe Republikës së Shqipërisë. Përveç kësaj japim kontributin gjithashtu në drejtim të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, realizimit të qëllimeve strategjike të vendeve tona, por dhe të gjitha vendeve të rajonit, siç janë integrimet në Bashkimin Europian dhe në NATO. Mbi të kaluarën deri tek e tanishmja, duke punuar për zgjidhjet që çojnë drejt një të ardhmeje paqësore të qytetarëve tanë dhe jo në shtyrjen e çështjeve të tilla, ne, të nderuar kolegë, miq, ndërtojmë të ardhmen për Maqedoninë, Shqipërinë dhe rajonin.
Kjo seancë e parë qeveritare mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë është më tepër se një mesazh për rajonin. Është mesazh se udhëheqësitë politike të përgjegjshme të dy vendeve, që kanë nderin që të udhëheqin qytetarët e tyre, kanë nderin t’i udhëheqin ato pa paragjykime. Njerëz që sjellin vendime të guximshme, sepse jemi të pastër para vetvetes dhe para qytetarëve. Punojmë sinqerisht, në mënyrë transparente dhe të hapur. Punojmë me qëllim që të përmirësojmë cilësinë e jetës të qytetarëve të vendeve tona dhe për një të ardhme të mirë e të sigurt në shtetet tona, në familjen euroatlantike.
Frekuenca e rritur e vizitave në nivel të lartë paraqet një fillim të ri në marrëdhëniet tona, që do të hapë mundësi të reja për qytetarët tanë. Të gjitha këto që bëjmë kanë një vlerë të lartë për qytetarët, për vendet tona, për Maqedoninë, në realizimin e qëllimeve europiane dhe atlantike.
Kemi intensifikuar aktivitetet në kuadër të Procesit të Berlinit, sipas qëllimeve të përcaktuara në Trieste. Kemi filluar të punojmë në krimin e një zone të re rajonale ekonomike. Në këtë takim të sotëm hapim perspektiva të reja për avancimin e lidhjeve e infrastrukturës së ndërsjellët, lehtësimin e këmbimit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe përforcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Kryeministri Rama, të nderuar ministra të Maqedonisë dhe Shqipërisë!
Në këtë seancë të përbashkët gjithashtu dua të ritheksoj se si një qeveri e re, por edhe si shtet jemi të përcaktuar që të ndërtojmë e të avancojmë marrëdhëniet fqinjësore, jo vetëm sepse kjo është e nevojshëm për shkak të integrimeve euroatlantike, por gjithashtu sepse e dimë se marrëdhëniet fqinjësore kanë domethënien e paqes, stabilitetit dhe progresit në rajon, që do të thotë stabilitet dhe progres për Maqedoninë.
Ne si popuj miqësorë dhe vetëm përmes një zhvillimit të përbashkët mund t’i arrijmë qëllimet e dëshiruara, si qytetarë dhe si shtet në kontekst rajonal.
Veç kësaj, shqiptarët në Maqedoni dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë e vërtetë e ndërtimit të marrëdhënieve më të afërta dhe bashkëpunimit më të madh.
Në planin e brendshëm, ne jemi të përkushtuar ndaj një procesi reformash, plani i quajtur 369. Ky nuk është vetëm çelësi për t’u futur në BE dhe në NATO, por ky është çelësi për krijimin e një sistemi shtetëror që funksionon, që ekziston për qytetarët e në të cilin kanë besim të gjithë qytetarët. Një sistem, i cili mbron të gjithë qytetarët dhe hap mundësi për të gjithë qytetarët, në një shoqëri për të gjithë, në një shoqëri në të cilën, siç treguan zgjedhjet, dëshirojnë të jetojnë qytetarët në Republikën e Maqedonisë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjak dhe të tjerë.
Për ne, BE dhe NATO nuk janë vetëm interesi politik, por dhe mundësi për zhvillim ekonomik të shtetit dhe stabilizim financiar të qytetarëve. Kjo nuk ju nevojitet vetëm qytetarëve të Maqedonisë, por e di se i nevojitet edhe qytetarëve të Shqipërisë dhe qytetarëve të rajonit. Me të drejtë presim që në vitin 2018, sëbashku të fillojmë negociatat për anëtarësimin në BE, si Maqedonia, ashtu dhe Shqipëria.
Është me rëndësi se si udhëheqës politikë të Shqipërisë, ju e njihni momentin dhe shansin për zhvillim rajonal, që do të sjellë zhvillim për të gjitha shtetet. Dëshiroj që në këtë drejtim të përshëndes përkushtimin tuaj, në emër të Maqedonisë dhe në emër të qeverisë së Maqedonisë.
Vendet anëtare të BE shprehin mesazh politik për aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe janë gjithashtu të hapura mundësitë për integrimin e Maqedonisë në NATO. Unë e di që Maqedonia dhe Shqipëria ndajnë vizionin për një rajon me prosperitet dhe të lidhur, të integruar në BE dhe në NATO. Dua të shtoj që mbështetja e Shqipërisë në këtë drejtim për Maqedoninë dhe për qytetarët ka një rëndësi të madhe. Dua të shpreh mirënjohjen Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për aspirata tonë për anëtarësim në NATO. Falenderoj gjitha qeverinë dhe në veçanti Kryeministrin Rama.
Maqedonia dhe të gjitha vendet e rajonit përballen me detyrimin për të plotësuar kriteret, të cilat demonstrojnë një shoqëri të pjekur demokratike, me një gjyqësor të pavarur, me media profesionale, me institucione në shërbim të qytetarëve, me një administratë efikase dhe profesionale. Ne i jemi përkushtuar ndërtimit të një shoqërie qytetare me mundësi të barabarta për të gjithë, marrëdhënie ndëretnikë të relaksuara dhe një përkthim të plotë të frymës së Marrëveshjes kornizë të Ohrit në praktikë dhe ne jemi të bindur se dallimet na bëjnë më të fuqishëm në këto përkushtime tona.
Muajt e ardhshëm mund të kenë një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Maqedonisë, si në avancimin drejt anëtarësimit në BE, ashtu dhe në anëtarësimin në NATO. Për këtë arsye, ne jemi të përqendruar që të bëjmë maksimumin nga ana jonë, për të bërë një hap përpara në realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit.
Kjo seancë qeveritare presim të jetë një kontribut në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, i cili duhet të vazhdojë e të zhvillohet. Gjithashtu, në këtë drejtim shumë e rëndësishme është vendosja e Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik dhe komitete të tjera të përbashkëta. Duhet gjithashtu të vendosen edhe organe bashkërenditëse dhe mekanizma për zbatimin efikas të marrëveshjeve dypalëshe, tejkalimit të pengesa potenciale dhe identifikimin e mundësive të reja në realizimin e projekteve të përbashkëta dhe strategjive, të cilat do ndihmojnë ndërveprimin mes dy shteteve tona.
Gjithashtu ju ftoj që të dyfishojmë përpjekjet që të përshpejtojmë projektet aktuale, të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën në kuadër të Korridorit 8, si dhe në kuadër të energjetikës. Është hartuar një studim filzibiliteti për konjeksionin energjetik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, konjeksioni Manastir – Elbasan, ka mundësi për ndërtimin e hekurudhës në Kërçovë përmes kufirit me Shqipërinë, në Strugë.
Gjithashtu dëshiroj t’i përkushtohemi sinqerisht të gjitha mundësive, të cilat do të paraqesin lehtësim për qytetarët në të dy anët.
Përfundimisht më lejoni të shpreh kënaqësinë se kjo seancë e parë mes dy qeverive mbahet në Pogradec, në Shqipëri, që paraqet një shtysë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast e të ftoj qeverinë që vitin e ardhshëm, në 2018 të mbajmë një seancë të përbashkët mes dy qeverive në Ohër, ose eventualisht në Strugë. Të vazhdojmë të punojmë sëbashku, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për avancimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona. Të gjitha sfidat t’i përkthejmë në një progres për të ardhmen. Si Maqedonia dhe Shqipëria dhe i gjithë rajoni, në këtë drejtim kanë partnerë shumë seriozë që do t’i mbështesë.
Ju faleminderit!