Më datë 17 maj u mbajt në Beograd konferenca ndërkombëtare “Serbia dhe Shqipëria – Drejt të ardhmes europiane”. Kjo konferencë u organizua nga Lëvizja Europiane e Serbisë dhe Fondacioni Friedrich Erbert në bashkëpunim me Institutin shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare dhe është një follow up i veprimtarisë së zhvilluar në Durrës para pak kohësh nga instituti i lartpërmendur.
Synimi i konferencës ishte të nxisë diskutimin publik rreth marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe të mundësive për zhvillimin e mekanizmave dhe modaliteteve që mund t’i përmirësojnë ato. Duke pasur parasysh Samitin e WB6 që do të mbahet në Paris në korrik të këtij viti, pjesëmarrësit e kësaj konference theksuan rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dy palëshe, si dhe të klimës së përgjithshme politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Konferenca u përqëndrua në trajtimin e katër topikëve kryesorë që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes dy vendeve tona: 1) Marrëveshjet dypalëshe e shumëpalëshe dhe çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Serbisë; 2) Roli i shoqërisë civile në promovimin e projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Serbisë; 3) Roli i medias në përvijimin e perceptimeve të ndërsjella; 4) Bashkëpunimi rinor mes dy vendeve. Përveç drejtorit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, z. Albert Rakipi, në konferencë ishin ftuar nga Shqipëria edhe përfaqësues së mediave, shoqërisë civile, të nismave rajonale e organizatave ndërkombëtare.
Sipas diskutantëve në këtë konferencë bashkëpunimi dypalësh dhe mirëkuptimi i ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Serbisë kanë një rëndësi strategjike për mbarë rajonin, si dhe të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Aty u konstatua se një prej pengesave për të pasur marrëdhënie të frytshme mes shoqërive të dy vendeve tona është mosnjohja reciproke e shoqëruar me mungesën e mundësive për një bashkëpunim intensiv. Gjithashtu u nxor pah fakti se shpesh kjo mosnjohje shoqërohet me klishe dhe stereotipe paragjykimesh të vjetra ose të reja, të cilat vihen re në të dy shoqëritë tona, shpesh edhe te të rinjtë. Shkëmbimet e gjithanshme, sidomos në fushë të artit e kulturës, por edhe ato arsimore, u panë nga pjesëmarrësit si diçka që ndihmon në kapërcimin e barrierave të lartpërmendura dhe për një njohje më të mirë mes nesh.
Në konferencë mori pjesë ambasadori Ilir Boçka, i cili në fjalën e vet u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë njohur një rritje të konsiderueshme, sidomos pas vizitave të kryeministrit Rama në Beograd dhe asaj të kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë. Z. Boçka u shpreh se në marrëdhëniet tona nuk ka çështje të hapura dhe se gjërat që na bashkojnë janë më shumë se ato që na ndajnë, si bashkëjetesa e përbashkët në një rajon, nismat e shumta rajonale dhe ndërkombëatre, procesi i integrimit në Bashkimin Europian etj.