Në mbrëmjen e datës 21 tetor, në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë u mblodhën së bashku fëmijë, prindër, veprimtarë, mësuese të gjuhës shqipe dhe diplomatë. Në kuadrin e programit të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë për edukimin përmes kulturës, si dhe të muajit tetor si »Tetori i Librit«, nën moton »Lexo Shqip«, Ambasada së bashku me Shoqatën Kulturore Shqiptare »Migjeni« organizuan veprimtarinë »Një ditë në shqip«. Të pranishmit i përshëndetën ambasasdori Pëllumb Qazimi dhe Martin Berishaj, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare »Migjeni«. Po ashtu, përshëndetën edhe Drilon Zogaj, diplomat në Ambasadën e Kosovës, Gazmend Rahimi, diplomat në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut dhe Zejnulla Bilali, kryetar i Shoqatës Shqiptare »Forum-Ilirida«, Lubjanë. Librat e shumtë në gjuhën shqipe të ekspozuar, me autorë poetë, shkrimtarë e publicistë nga të gjitha trojet shqiptare, u bënë pronë e fëmijve dhe të rriturve. Gati të gjithë lexuan poezi dhe prozë të autorëve Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Fan Noli e duke vazhduar me Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Ali Podrimja, Ali Aliu, Petro Marko, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Çun Lajçi, Mahi Nesimi, Vllasova Musta, e duke vijuar me autorë të rinj si Gona Lokaj, Elife Luzha, etj. Në veçanti fëmijët u treguan të »etur« për të lexuar pse jo edhe për të interpretuar sa më mirë. Të gjithë u angazhuan në mënyrë të lirshme e spontane, duke dhënë mesazhin se sa e mirë dhe e bukur është gjuha jonë. Veprimtaria »Një ditë në shqip« njëherazi përfaqëson edhe motivim për ngjarje të ngjajshme në të ardhmen, sidomos me fëmijët, të cilët ndjekin shkollat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.