Në datën 2 nëntor, përkthyesit tashmë të konfirmuar, bashkëshortët Frida Vokopola dhe Albert Gjoka, prezantuan para lexuesit librin e tyre të fundit »Studime Filologjike, zhvilluar me Gjuhën Pellazgo-Albane, Prova e Shkrimit Ilir, Napoli 1882«, origjinali i të cilit është i vitit 1882. Libri u prezantua në gjuhën shqipe për lexuesin përmes një veprimtarie promovuese, organizuar në »Kulla e Koperit« nga ana e Shoqatës Kulturore Shqiptare »Iliria«, Koper, nën drejtimin e kryetarit të shoqatës Heset Ahmeti. Lexuesi, përmes këtij libri të përkthyer me përkushtim e profesionalizëm të lartë nga Frida Vokopola dhe Albert Gjoka, mëson rreth studimit për gjuhën pellazgo-albane, bërë nga profesori i nderuar S. Marchiano, i cili dëshmon jo vetëm për vjetërsinë e gjuhës shqipe, krahasuar edhe me gjuhët e tjera kryesore. Por, mëson edhe për historinë e saj të dokumentuar nga autorët antikë dhe modernë. Vëmendjen e përkthyesve të librit e ka tërhequr jo thjesht tema e pellazgjisë, që ka ngjallur interesin e studjuesve të ndryshëm, të cilët po kërkojnë të hedhin dritë në këtë fushë. Njëherazi, interesi i studimit shtohet në këndvështrimin filologjik nëpërmjet gjuhës pellazgo-albane. Fakti që studimi është paraqitur në vitin 1982, tërheq akoma më shumë vëmendjen. Në ceremoninë promovuese në prani të dashamirëve të librit, merrnin pjesë edhe drejtuesja e Shoqatës Shqiptare »Ecim së Bashku«, Trieste, Itali, Mardena Kelmendi, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, diplomatët e Ambasadës së Kosovës Burim Qorri dhe Drilon Zogaj, etj. Nën drejtimin e moderatores Majlinda Dabulla Kurti, të pranishmit drejtuan një numër pyetjesh, të cilat rritën interesin e pjesëmarrësve. Libri është i katërti në serinë e librave të përkthyer nga dy bashkëshortët, libra që datojnë shekuj të shkuar dhe që i kushtohen historisë të gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare, dokumente, që ruhen në arkiva e institucioneve akademike në Gjermani, Austri, Itali e gjetkë.