Në datën 23 mars, u zhvillua vizitë në qytetin Novo Mesto, ku ndër të tjera mund të veçohet takimi dhe bashkëbisedimi me mësuesit dhe nxënësit me origjinë shqiptare që ndjekin studimet në shkollat e këtij qyteti. Vizita u realizua me kërkesë të shkollës Bršljin para disa muajsh. Shqetësimi i shkollës ishte se si mund të integroheshin më mirë fëmijët shqiptarë në sistemin shkollor slloven. Në përgjigje të kërkesës, ambasadori Pëllumb Qazimi u prit në takim nga drejtorja e shkollës Darja Brezovar dhe më pas u zhvillua bashkëbisedim miqësor dhe përmbajtësor me mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle. Shkollës iu dhuruan tekste të mësimit të gjuhës shqipe, tekste të matematikës, fjalor sllovenisht-shqip dhe materiale promovuese të turizmit shqiptar. Tërheq vëmendjen interesimi i shkollës për gjetjen e rrugëve sa më efikase për integrimin e fëmijëve shqiptarë dhe përdorimin edhe të teksteve shqip për të lehtësuar këtë integrim. Respekti ndaj diversitetit kulturor e gjuhësor dhe respekti ndaj tjetrit vlerësohet si nevojë dhe domosdoshmëri në sistemin arsimor slloven. Vizita ishte në përgjigje të kësaj fryme. Nxënësit shqiptarë komunikuan në gjuhën sllovene dhe shqipe dhe u bënë pjesë aktive e bashkëbisedimit, duke treguar interes e dëshirë për tekstet në gjuhën shqipe që iu dhuruan shkollës.
Ambasada do të vijojë kontaktet në këtë qytet, për të lehtësuar e mundësuar integrimin sa më të mirë të fëmijëve shqiptarë në sistemin arsimor slloven.
Shkolla Bršljin, Novo Mesto për këtë vizitë në rrjetet sociale ka shpërndarë në gjuhën sllovene tekstin e mëposhtëm:
"Diversiteti na bashkon
Shkollën Bršljin sot e ka vizituar Sh.T. Z. Pëllumb Qazimi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Me mirësi i është përgjigjur kërkesës sonë dhe vet ai na solli tekstet shkollore, që përdoren nga shkolla fillore shqipe, të cilat do të ndihmojnë si urë komunikimi të ndërsjelltë. Shkolla fillore Bršljin është shkollë ndërkulturore që nga fillimi i saj 45 vjet më parë. Ne jemi krenarë për shumëllojshmërinë e përbërjes etnike, gjuhësore, kulturore dhe fetare të nxënësve tanë dhe prindërve të tyre. Pikërisht kjo botë e gjallë na bashkon, në të njëjtën kohë duke zgjeruar botën dhe njohuritë e diversitetit të jetës tonë. Ne jemi një botë në miniaturë, ku çdo ditë dëshmon se sa bukur është të jetosh dhe të punosh së bashku, edhe pse vijmë nga mjedise të ndryshme.
Migrimi është pjesë e historisë evropiane. Shkaqet e migrimit janë krejtësisht të ndryshme. Fëmijët migrimin e përjetojnë si ndryshim të madh dhe kompleks, shumë e vuajnë si tronditje kulturore. Nga vendi i origjinës përshëndeten nga të dashurit e tyre, të afërmit, shokët e klasës dhe miqtë. Në vend zhvendosjet përballen me një sistem të ri shkollor, me një mjedis të ri gjuhësor, kulturë të ndryshme dhe disa rregulla të reja, shpesh me një paragjykim ndaj tyre. Edukimi dhe trajnimi për zbatimin e suksesshëm të integrimit të fëmijëve të emigrantëve janë faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në mënyrë më efektive për sigurimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e suksesshëm personal dhe përfshirjen në punën dhe jetën sociale. Është shumë e rëndësishme që procesi i integrimit të jetë i planifikuar me kujdes dhe fëmijëve t'ju mundësojë integrimin, i cili do të jetë si mbështetje në mësimin e një gjuhe të re, për kuptimin e ngjashmërive dhe dallimeve ndërmjet kulturave të familjeve. Më tej, kjo do të ndihmojë përshtatjen me një mjedis të ri dhe për kapërcimin e ndonjë ndryshimi në programet arsimore që fëmijët e emigrantëve përballen në Slloveni.
Ne jemi të kënaqur që në mesin tonë në shkollën fillore Bršljin në Novo Mesto pritëm Shkëlqesinë e Tij, Z Pëllumb Qazimi. Ai na dha materiale në gjuhën shqipe, të cilat do të ndihmojnë nxënësit tanë në kalimin e barrierave të gjuhës dhe në përvetësimin e përmbajtjes edukative. Gjuha amtare luan një rol të veçantë dhe ne duhet të dimë se është gjithashtu e nevojshme që të lejojmë fëmijët e emigrantëve që të komunikojnë në gjuhën e tyre. Në shkollën fillore Bršljin jemi të vetëdijshëm se njohja e kulturës të tjetrit të çliron nga paragjykimet dhe vështirësitë e ndryshme. Pra, ne kështu ndërtojmë një botë miqësore për njerëzit, që e dinë se çdo kulturë është e pasur dhe se diversiteti na bashkon."
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=977469328974200&id=713...