38 MARTIRË TË KISHËS SHQIPTARE U LUMNUAN NË SHKODËR. NË KATEDRALEN E SHËN SHTJEFNIT U KREMTUA RITI I LUMNIMIT, KRYESUAR NGA KARDINALI ANGELO AMATO. PJESËMARRJE E GJËRË DHE NGA BOTA, MBI 10.000 VETA NË SHESHIN “PAPA GJON PALI II”

Tridhjetë e tetë martirët shqiptarë janë triumfatorë të historisë, shkruan e përditëshmja e Vatikanit “L’Osservatore Romano”. E kështu, imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949), ndonëse sipas kronologjisë së ngjarjeve nuk qe i pari që dha jetën për Krishtin, u vu simbolikisht në krye të grupit të martirëve, për arsye të dinjitetit të tij kishtar si kryeipeshkëv e Primat i Shqipërisë.
Imzot Gjini, ipeshkvi tjetër, i kishte dërguar kryeministrit Enver Hoxha dhe të gjitha ambasadave të akredituara në Tiranë, një letër, përmes të cilës protestonte kundër politikës antifetare të qeverisë. Qeveria iu përgjigj duke e dënuar me pushkatim dhe e pushkatoi në Shkodër, më 11 mars 1948, së bashku me rregulltarët Çiprian Nika e Mati Prendushi. Preteksti për kapjen dhe pushkatimin e françeskanëve qe akuza e rreme për fshehjen e armëve në kishën e tyre.
Aktet e 38 martirëve vijojnë nga viti 1945, deri më 1974, me episode mizorish të padëgjuara. Por të gjithë i bënë ballë në mënyrë shembullore martirizimit dhe dënimit të tyre të padrejtë: i mbartën torturat me shpirtin e durimit, me forcë e fe të vërtetë! Në çastin e vdekjes, i falën fajtorët dhe e lëshuan shpirtin në duart e Zotit.
Ndërmjet martirëve të rinj është edhe një vajzë: Marije Tuci, mësuese e re, që u arrestua si dëshirtare për jetë rregulltare ndër motrat françeskane stigmatine.
Të parët që u pushkatuan në mars 1945, ishin don Lazër Shantoja e don Ndre Zadeja. Pastaj i erdhi radha jezuitëve Gjon Fausti e Daniel Dajani, françeskanit Gjon Shllaku, seminaristit Mark Çuni e laikëve Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku, burrë i martuar e babë familjeje.
Për ta plotësuar numrin e atyre, që u dënuan me pushaktim në çaste të ndryshme, kujtojmë emrat e dom Alfons Trackit, Frano Mirakajt, laik e baba familjeje, don Jozef Marksen, don Luigj Prendushi, don Dedë Maçaj, don Anton Zogaj. don Dedë Malaj, don Marin Shkurti, don Shtjefën Kurti e don Mikel Beltoja.
U shuan në tortura, si pasojë e keqtrajtimeve, françeskanët Bernardin Palaj e Serafin Koda; jezuiti Gjon Pantalija, don Mark Gjani, don Dedë Plani, don Ejëll Deda, don Anton Muzaj, don Pjetër Çuni, don Lekë (Aleksandër) Sirdani, Papas Josif Papamihali, don Jak Bushati, françeskani Gaspër Suma, don Jul Bonati e don Ndoc Suma. Françeskani Karl Serreqi u arrestua në kulmin e veprimtarisë së tij baritore, pse nuk pranoi të tregonte sekretin e rrëfimit të një burri, që po jepte shpirt, i plagosur nga policia komuniste gjatë një shkëmbimi zjarri.

Kronikë madhështore, e shkruar mbi fytyrë të dheut, që iu ngjit qieve.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Via ottaviano 43, Scala B,
interno 3, 00192 Roma, Italia

Tel / Fax

Tel: +39 06 39721599
Fax: +39 06 39038231
Nr. i emergjences: +39 06 39721599

E-MAIL

embassy.vatican@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00