Më datë 19 Nëntor 2018, me kërkesë të Kreut të Misionit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë znj. Majlinda Dodaj, Ati i Shenjtë Papa Françesku pranoi të presë në një Audiencë të veçantë përfaqësues të popullit shqiptar. Ky takim historik, u mbajt në orën 17:00 në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik në Vatikan. 200 përfaqësues të popullit shqiptar, patën rastin të takojnë e të përshëndesin Atin e Shenjtë. Një realizim ky i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë për të përmbyllur aktivitetet me rastin e përfundimit të “VITIT MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT”, siç u shpall nga Qeveria shqiptare viti 2018 me rastin e 550-të vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skendërbeu.
Takimi u hap nga Kreu i Misionit znj. Majlinda Dodaj, ku ndër të tjera ajo u shpreh: “Ju falenderoj përzemërsisht At i Shenjtë që pranuat kërkesën time, të prisnit në këtë Audiencë të Veçantë, përfaqësues të popullit tim. Në këtë Sallë, sot, janë 200 shqiptarë, por me zemër këtu është e gjithë Shqipëria. Ju, At i Shenjtë, keni vlerësuar gjithnjë jetën religjoze shqiptare, keni vlerësuar bashkëjetesën paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Dhe këtë, ne populli shqiptar, e dimostrojmë edhe sot, në këtë takim, pasi të pranishëm për të përkujtuar në Vatikan Heroin e shqiptarëve janë të gjithë Liderit fetarë të shoqeruar nga besimtarët e tyre. Faleminderit At i Shenjtë, kjo Audiencë e Veçantë, tregon edhe një herë dashurinë e respektin që Ju ushqeni ndaj vendit e popullit tim”.
Duke falenderuar Kreun e Misionit znj. Majlinda Dodaj për organizimin e këtij takimi, Papa Françesku vijoi me fjalim historik duke iu drejtuar shqiptarëve të mbedhur në Sallën Klementina: “Sot kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriot Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Ati i Shenjtë duke ju drejtuar shqiptarëve të shfrytëzojnë cilësitë më të mira të identitetit të tyre kombëtar për të ndërtuar të ardhmen, që askush të mos jetë i detyruar të emigrojë, nënvizoi :”Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriot Skëndërbeun, në kohën e vet”.
“Rëndësia e veçantë e figurës dhe veprës së Kastriotit – theksoi Ati i Shenjtë- përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenare në sfondin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli […] Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriot Skëndërbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit si “VITI MBARËKOMBËTAR I SKËNDERBEUT”. “Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdoruar nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimive me natyrë fetare. Në Shqipëri kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim” u shpreh Papa Françesku duke vijuar me shprehje mirënjohje dhe ndaj shenjtorëve martirë të “cilët e dëshmuan fenë me çmimin e jetës”. “Një favor, mos harroni të luteni për mua”, iu drejtua shqiptarëve Ati i Shenjtë, duke përmbyllur kështu dhe fjalimin e Tij. Në përfundim të Audiencës znj. Dodaj falenderoi edhe një herë Atin e Shenjtë për takimin i cili “do të mbetet përgjithnjë në kujtesën e popullit shqiptar”. “E kam bërë me zemër”, ishte përgjigja e Atit të Shenjtë Papa Françeskut.
Morën pjesë në këtë takim historik dhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryetari i Parlamentit Sh.T.Z. Gramoz Ruçi, Ministri për Diasporën Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli, Nën Kryetari i Parlamentit Edi Paloka, etj. Me ftesë të znj. Dodaj, ju bashkëngjitën delegacionit të 200 përfaqësuesve shqiptarë dhe artistët e shquar: Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Ermal Meta, Genc Tukiçi, Kledi Kadiu, Elhaida Dani, Olen Cesari, Eno Peçi, Erza Muçolli, Lorik Cana. Me iniziative te Kreut te Misionit, Ambasada, e RSH-se ne Vatikan, pas Audiences me Atin e Shenjte, organizoi Koncertin me artistet e shquar shqiptare në ‘Teatro Argentina’, me titull: “TË BASHKUAR NË MUZIKË E NË KUJTIM TË SKËNDËRBEUT”, Koncert qe u nderua duke e inauguruar Sekretari i Shtetit të Vatikanit Hirësia Tij Kardinal Pietër Parolin. Me këto dy aktivitete, Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë mbylli dhe “VITIN MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT”.