Më datë 26 janar 2018 Ambasada e RSh-së në Vatikan inauguroi “VITIN MBARËKOMBETARE TE SKENDERBEUT” me Konferencën “ RRËNJËT EVROPIANE TË SHQIPËRISË SË GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT” e cila u mbajt në prestigjozen “Sala Zuccari” të Senatit të Republikës Italiane.
Konferenca, e cila u zhvillua dhe nën Patronazhin e Senatit të Republikës, u inaugurua nga Shkëlqesia e Tij Imzot Francesco Canalini – Nunc Apostolik në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit,. si dhe nga Shkëlqesia e Nderuar Kardinali shqiptar Ernest Simoni.
Imzot Francesco Canalini, si i deleguari i Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin, në emër të Tij e të Sekretarisë së Shtetit, falenderoi Ambasadën e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë për ftesën në këtë takim kaq domethënës. “ Kjo ditë e themelimit të figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, mbrojtësit heroik të lirisë së Shqipërisë, - theksoi Imzot Canalini – ka si qëllim t’i nënvizoi sidomos rrënjët Evropiane të këtij vendi fisnik…Shën Nënë Tereza, së bashku me martirët që kanë dëshmuar heroikisht fenë e tyre, i ndimohtë burrat e gratë vullnet mirë për përparimin social e shpirtëror të shoqërisë e të Kishës në Shqipëri”.
Në inagurimin e kësaj Konference i pranishëm dhe Kardinali shqiptar Ernest Simoni, i cili në përshendetjen e Tij theksoi se “ Gjergj Kastriot Skënderbeu është shprehje e madhështisë dhe thesar i kombit”. “Ai qe mbrojtës i vlerave të popullit e të vendit – vijoi Kardinal Simoni – ato i përhapi kudo te Papët e në botë…Sigurisht kur flitet për madhështinë e popullit dhe të kulturës dymijë vjeçare të krishtërimit i tregon gjithë Evropës që Skënderbeu ka qënë mbrojtës i tij dhe Evropës, i paqes dhe i gjithë Perëndimit, kjo është e shkruar dhe nga gjithë historianët…. Për këto vlerësime, vetë Papa e quajti mbrojtës i të drejtave fetare e përhapës i dashurisë së Krishtit, duke i dhënë dhe titullin Ushtar i Krishtit”.
Më tej e Ngarkuara më Punë, Znj. Majlinda Dodaj , prezantoi kumtesën : “DOKUMENTE TË RËNDËSISHËM MIDIS SKËNDERBEUT DHE SELISË SË SHENJTË”. Ishin pikërisht gjashtë dokumente të Papa Kalistit III të cilët me ndihmën e Arkivit Sekret të Vatikanit u prezantuan për herë të parë për publikun. Këto dokumente dëshmojnë korispondencën e Papa Kalistit III drejtuar Skënderbeut.
“Bir i dashur unë nuk do të them shumë, se sa e madhë do të jetë kjo betejë dhe sa me vështirësi do të vijosh të luftosh kundër këtyre të këqijave. Me atë që kemi parë, ne kemi kuptuar se ju keni bërë akte heroike për të mbrojtur tokën , për këtë të përgëzoj me hare e lumturi, për gjithçka që bëni… Perëndia ka mbrojtur besnikët e tu që lujtojnë…Ju keni forcën e një atleti, ju jeni një luftëtar për besimin , besoj se ju do të fitoni mbi barbarët”. Dokumente të tjerë të cilët u përkthyen nga latinishtja në italisht, bënë të kuptohej e të ndihej më afër dhe miqësia me të cilën Papa Kalisti III i drejtohet Skënderbeut.
Më tej Imzot Donato Oliverio, Ipeshkvi i Eparkisë së Lungros, solli për të pranishmit temën : “SKËNDERBEU: SIMBOL I UNITETIT”. Profesoresha Lucia Nadin - Laurea Honoris Causa nderuar nga Universiteti i Tiranës për kërkimet shumëvjeçare që interesojnë Shqipërinë - u prezantua me kumtesën : “SHQIPËRIA DHE SKËNDERBEU NË VENECIA, NDËRTHURJE SHEKULLORE JETE, KULTURE, ARTI”. Studiuesi Aurel Plasari prezantoi në këtë Konferencë temën : “ SHQIPËRIA DHE SKËNDERBEU NË ‘DE EUROPA’ TE PIUT TË DYTË”. Ndërsa Loris Castriota Skanderbeg me temën : “KUJTIME TË NJË PARAARDHËSI TË SHQUAR”. Në përfundim Profesoresha Maria Gabriella Belgiorno, nga Universiteti i Perugia-s, analizoi temën : “ SISTEMI ‘EUROPA’ NË IDETË E GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT”.
Duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë Konferencë, në mbyllje znj. Dodaj u shpreh se “Ndoshta për herë të parë në historinë Evropiane një udhëheqës politik, ushtarak dhe diplomatik pati idenë e bashkimit të të gjitha kombeve dhe përballjen me një rrezik të përbashkët. Për herë të parë ekziston arsyeja për veprim të përbashkët”.
Morën pjesë Trupi Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, Imzot Giovanni Gaspari – Përfaqësues për Ballkanin, akademikë nga universitete të ndryshme papnore dhe italiane, arbëresh dhe bashkëatdhetarë.