
Më datë 28 janar 2018, në Kishën e Shën Gjonit të Malvës në Trastevere Ambasada e RSH-së në Vatikan në bashkëpunim me Dom Pasquale Ferraro – Kordinator Kombëtar i Katolikëve Shqiptar në Itali, organizuan Meshën e Shenjtë, në nderim të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut me rastin e 550-të vjetorit të ndarjes nga jeta. I ftuar nderi në këtë Meshë të Shenjtë ishte Sh.T. Z. Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën.
Dom Pasquale duke uruar mirëseardhjen Ministrit Majko u shpreh : “Ju presim me gëzim në këtë Kishë të Romës , pikë referimi për bashkësinë e krishterë të shqiptarëve. Papa Shën Gjon Pali II, gjithnjë i gjallë në zemrat tona, deshi që në këtë Kishë të shprehte vëmëndjen e Tij të posaçme për njerëzit tanë. Këtë privilegj e lexojmë me sytë e fesë si një shenjë mirënjohje nga ana e Atit të Shenjtë për besimtarët shqiptarë, që i qëndruan besnikë Krishtit, pa marrë parasysh torturat e dënimin me vdekje të një pjese të mirë të meshtarëve e të shumë besimtarëve të thjeshtë nga ana e rregjimit komunist.
Në vijim Dom Pasquale u shpreh duke uruar që fenomeni i emigracionit, me të cilin ballafaqohemi çdo ditë në veprimtarinë baritore, të mos jetë më tregues i vuajtjeve ekonomike, por simbol i nevojës për shkëmbim ndërmjet kulturave, simbol i vëllazërimit dhe shprehje e pasurisë së popujve.
Ministri Majko, në fjalën e Tij , u shpreh i nderuar për praninë , në ate që e quajti ‘shtëpi të shqiptarëve’, veçanërisht në një moment të rëndësishëm si përkujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Marrëdhënien me Vatikanin dhe Kishën Katolike, z. Majko e cilësoi si një testament të Heroit tonë Kombëtar. “Ndihem jashtëzakonisht i emocionuar, që e gjithë Mesha u mbajt në gjuhën shqipe dhe fjala e Zotit u lexua në shqip”- ishin fjalët e Ministrit.
Mesha e Shenjtë u shoqerua dhe nga sopranoja e talentuar Ana Lushi, e cila për të pranishmit, pas kremtimit të kësaj Meshe, perfomoi dhe këngë të zgjedhura shqiptare.
Znj. Dodaj duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, bëri me dije, dhe axhendën e aktiviteteve të Ambasadës së RSH-së pranë Selisë së Shenjtë, të cilat do të zhvillohen me rastin e “Vitit të Skënderbeut”, të cilat gjithnjë e më shumë synojnë të nxjerrin në pah marrëdhëniet e lashta dhe të shkëlqyera midis Shqipërisë e Vatikanit. Pas Konferencës së datës 26 janar 2018, ku u sollën në vëmëndje, ndër të tjera, raportet midis Papa Kalistit III e Papa Piut II me Heroin Kombëtar, aktiviteti i rradhës do të jetë ekspozita me prezantimin e korispondencës me dokumentet originale midis këtyre Papëve e Skënderbeut, përfundoi znj. Dodaj.