Në 11 janar 2016, në Pallatin Apostolik në Vatikan, në një sallat e tij më të bukura, në Sallën Regia, në orën 10.30, Papa Françesko priti Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe mbajti fjalimin tradicional të fillimit të vitit 2016.
Vatikani mban lidhje diplomatike me 180 shtete. Në takim ishin të pranishëm dhe Kreu i Misionit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhërit të Maltës, Visar Zhiti së bashku me bashkëshorten.
Në fillim përshëndeti në emër të të gjithë Trupit Diplomatik dekani i tyre, ambasadori i Angolas, Fernandez do Espirito Santo Vieira.
Në vijim, në qendër të diskutimit, Papa vuri krizën e emigrimit, pritjen e të ikurve dhe mposhtjen e frikërave që kjo dukuri masive mbart. Si e tillë ajo bëhet dhe një çështje kulturore, një mundësi hapjeje horizontesh të tjera. Ta përmbysim kulturën e hedhurinave, theksoi Papa, të fyerjeve të jetës njerëzore, askush të mos harrohet. Nuk duhet të bëhemi të pandjeshëm ndaj çdo forme harrimi. Të ndalet trafiku i njerëzve, që i kthen ata në mall dhe mjaft me fëmijë të mbytur në det. T’i jepet fund trafikut të armëve. Të ndalet tragjeditë, sa pa u bërë vonë për të arritur paqen. Europa të mos e braktisë frymën e saj solidare dhe Italia, tha Papa, pasi i shprehu mirënjohjen për përkushtimin, të mos e dobësojë ndjenjën e mikpritjes. Ekstremizmi, vazhdoi Papa, gjen vend atje ku krijohet zbrazëtia e vlerave. Absolutisht nuk mund të vrasim në emër të Zotit. Ku ka liri fetare është e mundur bashkëjetesa paqësore.
Paqe për Sirinë dhe për popujt që po vuajnë nga shkaku i luftës, për Libinë, etj, ngulmoi Papa. Po kështu të gjendet një zgjidhje për krizën izraelito-palestineze dhe shprehu shqetësim për eksperimentet atomike në gadishullin korean. Në Vitin e Shenjtë të Mëshirës, Papa nënvizoi sërisht se sfida mbetet “të mposhtim indiferencën për të arritur së bashku paqen” dhe “që zëri i saj të mbërrije në kufijtë më të skajshëm të Tokës, Selia e Shenjtë nuk do të rreshtë kurrë së punuari”, përfundoi Papa.