Në 9 tetor 2016, në Vatikan, në sheshin më të bukur të botës katolike “San Pietro”, gjatë lutjes së “Engjëllit të Tënzot”, Papa Françesku ka shpallur emrat e kardinaleve të rinj. Janë 17 nga 11 vende të ndryshme. Midis tyre dhe shqiptari Ernest Simoni Troshani, qëndrestari martir, simbol i ringritjes.
Në vigjiljene përfundimit të Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore, në Koçistorin që do të kremtohet në 19 nëntor 2016 në Vatikan, Papa Françesku do të emërojë kardinalë e rinj.
Kardinal Nderi do të jetë dhe Don Ernest Simoni, nga Kryedioqeza Shkodër-Pult, dëshmitari i përkushtimit të paepur të krishterë. Është ai që i tregoi vuajtjet e gjata nëpër burgjet e diktaturës Papa Franceskut, kur erdhi në Tiranë dy vjet më parë, dhe ato ishin vuajtjet e klerit, ishin vuajtjet e Shqipërisë, por njëkohësisht ishin dhe treguesi i ringjalljes dhe i rimëkëmbjes. E gjithë bota pa në televizor përqafimin e Papa Françeskut me priftin shqiptar, sytë e përlotur të tyre, gëzimin e besimit triumfues.
Ky është i dyti kardinal shqiptar, pas Mikel Koliqit, edhe ai bashkëvuajtës, qëndrestar në burgjet komuniste. Vëllezër shpirterorë të 38 martireve që do të lumturohen në 5 nëntor në Shkodër.
Shqipëria i ka dhënë botës martirë dhe shenjtë...
Lajmi i një kardinali të ri shqiptar vazhdon veçmas të ketë jehonë në mediat elektronike dhe ato të shkruara të Vatikanit dhe të Italisë, ku botohet dhe biografia e kardinalit shqiptar që pret emërimin tashmë, Ernest Simoni Troshani, “megjithëse e beftë për mua”, do të shprehej ai në intervistë në Radio Vatikani, duke falenderuar Papën “për këtë nder që i bëhet popullit shqiptar”.