Baku është kryeqyteti i Republikës së Azerbajxhanit. Azerbajxhani kufizohet me Iranin, Turqinë, Rusinë, Gjeorgjinë dhe Armeninë. Qeveria e Republikës së Azerbajxhanit është e organizuar në bazë të parimeve të ndarjes së pushtetit. Sipas konceptit tradicional të ndarjes së pushtetit, Kushtetuta përcakton që Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit ka pushtetin ekzekutiv, pushteti legjislativ kryhet nga Parlamenti i Republikës së Azerbajxhanit – Milli Mexhlis i Republikës së Azerbajxhanit dhe pushtetin gjyqësor e mbajnë gjykatat.
Marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë me Azerbajxhanin janë vendosur më 22 shtator 1993.
Me Azerbajxhanin vërehet një tendencë gjithnjë në rritje e kontakteve politike dhe shtimit të interesit të bashkëpunimit në fusha me interes, sidomos vitet e fundit.
Marrëdhënie dypalëshe miqësore ndërmjet dy vendeve janë të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë. Janë identifikuar tashmë sektorët me potencial më të madh për intensifikimin e bashkëpunimit, e që janë energjia dhe turizmi. Janë disa marrëveshje të nënshkruara dhe janë në proces disa të tjera. Bashkëpunimi ekonomik mbetet në qendër të angazhimit të të dy qeverive. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë konsiderohet si një nga fushat më të rëndësishme të marrëdhënieve tona ekonomike. Përfundimi i punimeve të gazsjellësit TAP është i një rëndësie strategjike për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë. Shqipëria është e interesuar për një pjesëmarrje aktive të Azerbaixhanit në zhvillimin e infrastrukturës energjitike në vend dhe i kushton vëmendje të vecantë zbatimit të Memorandumit mbi Planin e Përgjithshëm të Gazifikimit të Shqipërisë, të nënshkruar midis dy vendeve.
Të dy qeveritë kanë arritur marrëveshje për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të të dy vendeve pa viza, që do të ndikojë në shtimin e numurit të turistëve reciprokisht, por edhe në lehtësitë për biznesin.
Shprehje e ecurisë shumë pozitive të marrëdhënieve të bashkëpunimit janë edhe vizitat e ndërsjellta në nivele të larta.
Të dy vendet kanë marrë vendime përkatëse për hapjen e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku. Azerbajxhani e ka hapur ambasadën në Tiranë dhe Shqipëria është në përgatitjet teknike për hapjen e ambasadës në Azerbajxhan. Hapja e ambasadave konsiderohet si shumë pozitive për mbarëvajtjen e ecurisë së suksesshme të marrëdhënieve.
Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse për integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe për zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.