Datë 18.12.2024
Miku i Shqipërisë Profesor Gaetano Dammaco, së fundi ka botuar në librin e tij, ‘Gjeopolitika midis fesë dhe të drejtës’, një kapitull të veçantë për zhvillimet në Shqipëri me titull: ‘Një rast Balkanik në gjeopolitikë, fetë në tranzicionin politik ne Shqipërinë bashkëkohore’.
Në këtë kapitull të gjerë, ai i kushton një vëmendje të posaçme zhvillimeve të fesë dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Vatikanin para, gjatë dhe pas regjimit komunist. Duke folur për kishën, diplomacinë dhe demokracinë, profesor Dammaco, flet për zhvillimet ateiste nën regjimin e Enver Hoxhës (rast unik në botë), deri në rënien e këtij regjimi dhe ngritjen nga Papa Giovani Paolo II, të nunciaturës apostolike në Shqipëri. Në studim, ai nënvizon, ndihmën e fesë në zhvillimin dhe dialogun, raportin e saj me shtetin dhe kontributin e saj në të drejtat njerëzore, si aspekte shumë të rëndësishme të një shoqerie demokratike.
Profesor Gaetano Dammaco lektoron në Universitetin Link në Romë, si dhe ka bashkëpunuar në Universitetin Aldo Moro në Bari dhe në Universitetin Aleksandër Moisiu në Elbasan.