Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, znj. Albana Dautllari, mori pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Shkollës Shqipe “Iliriada”, shkolla e dytë në Belgjikë nën ombrellën e Shoqatës “Iliriada”.
Kjo nismë e vyer synon të ruajë dhe të forcojë lidhjen e brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke ofruar mësim plotësues në gjuhën amtare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Sint-Niklaas dhe më gjerë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve komunale belge, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar që mbështesin me përkushtim promovimin e identitetit dhe vlerave tona kombëtare.
Ambasadorja Dautllari përgëzoi organizatorët për këtë arritje të rëndësishme dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës për çdo nismë që kontribuon në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në diasporë.
Urime Shoqatës “Iliriada” dhe suksese nxënësve të Shkollës së re Shqipe në Sint-Niklaas!


