Më 2 mars, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bruksel mori pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës së Kulturës Ballkanike në Kolegjin e Evropës në Brugge.
Në këtë aktivitet, Ambasada prezantoi materiale informuese dhe promovuese mbi turizmin, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e Shqipërisë, si dhe ofroi produkte tradicionale shqiptare për studentët dhe pjesëmarrësit.
Aktiviteti u zhvillua gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit në rritje me Kolegjin e Evropës, sidomos pas hapjes së degës së këtij institucioni në Tiranë.
Interesi i studentëve ishte i lartë, veçanërisht nga ata që do të vizitojnë Tiranën në muajin prill në kuadër të aktiviteteve të Kolegjit të Evropës.
Një falënderim i veçantë shkon për Bleron Nelaj, student shqiptar në Kolegjin e Evropës në Brugge, për angazhimin e tij në promovimin e Shqipërisë gjatë këtij aktiviteti.


