Gjatë vizitës së tij zyrtare në Budapest, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi takime dypalëshe me Ministrin për Çështjet e Bashkimit Evropian, Janos Boka dhe Zëvendëskryetarin e Asamblesë Kombëtare, István Jakab.
Diskutimet u fokusuan veçanërisht në progresin e bërë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ku Ministri Hasani shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të zhvilluar Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.
Palët u dakordësuan se mbështetja hungareze për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, e parashikuar të jetë një nga prioritetet e Presidencës hungareze të Këshillit të BE-së gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, është një domosdoshmëri për të ardhmen e rajonit.