Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 60-të Sigurisë së Mynihut, ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me homologë nga shtetet pjesëmarrëse.
Ministri Hasani zhvilloi takime me Ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës, Francës, Gjermanisë, Bullgarisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maltës, Bovarisë, Moldavisë, Gjeorgjisë, Azerbajxhanit etj. Gjithashtu, kryediplomati shqiptar zhvilloi takime dypalëshe edhe me Kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alice Kearns dhe të Ngarkuarin e Posaçëm kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Në fokus të takimeve ishin çështje si: situata aktuale e sigurisë evropiane dhe globale, thellimi i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor etj.
Ministri Igli Hasani ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.
Rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish, mbi 100 ministra, si dhe drejtues të shumë organizatave kryesore ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, morën pjesë në këtë konferencë.
Në qendër të diskutimeve në Mynih ishin çështje të lidhura me forcimin e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla dhe angazhimin në një koalicion sa më përfshirës për të adresuar tendencat revizionuese të rendit aktual të sigurisë botërore.