Luksemburgu, zyrtarisht Dukati i Madh i Luksemburgut ka një popullsi prej 524.853 dhe një sipërfaqe prej 2586 km2 . Qendrat më të njohura janë Diferdanzh, Esh dhe Belvare. Luksemburgu ndahet në tri njësi administrative të quajtura Distrikte dhe vetë këta të fundit ndahen në 12 kantone.
Luksemburgu është një shtet me demokraci përfaqësuese me një monark kushtetues, që udhëhiqet nga Duka i Madh, i vetëm që ka mbetur në botën e sotme. Vendi është shume i zhvilluar, me një ekonomi moderne dhe me GDP nga më të lartat në botë. Luksemburgu është një nga 6 vendet themeluese të Bashkimit Evropian.
Gjuhët zyrtare janë tre (frëngjisht, gjermanisht dhe luksemburgisht).
Marrëdhëniet dypalëshe
Luksemburgu në mënyrë konstante është vend mbështetës i Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kuadër, Shqipëria ka marrë mbështetje konkrete dhe inkurajim të vazhdueshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Në të gjitha takimet e nivelit të lartë, autoritetet e Luksemburgut kanë vlerësuar përparimin e arritur nga Shqipëria dhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre në këtë drejtim.
Luksemburgu përkrah dhe mbështet të gjitha iniciativat për stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajonin tonë. Në këtë kuadër, Luksemburgu ka mbështetur plotësisht iniciativat rajonale dhe takimet kushtuar Ballkanit Perëndimor, në veçanti rolin e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare në këtë drejtim.
Marrëdhëniet diplomatike dypalëshe janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara. Ato kanë njohur vazhdimisht zhvillim, veçanërisht në kuadër të angazhimit të qeverisë së Luksemburgut ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dialogu politik është pjesë e agjendës së dy qeverive, për të cilin punojnë të dy palët. Shqipëria dhe Luksemburgu po ashtu bashkëpunojnë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, gjithashtu kanë ndërveprim si dy vende anëtare të NATO-s dhe shkëmbejnë mendime edhe për mjedisin e sigurisë në rajon.
Takimet e nivelit të lartë gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar, kështu përmendet vizita e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, në Luksemburg në shkurt 2024, Vizita e Kryeministrit të Luksemburgut Sh.T.Z. Xavier Bettel në Tiranë në gusht 2022. Po ashtu, Ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë vijuar kontakte periodike, si vizita e Ministrit Asselborn në Tiranë, tetor 2017, vizita e MEPJ Bushati në Luksemburg në shtator të 2018, konsultimet diplomatike mes dy MPJ-ve, si dhe një seri takimesh mes Ministrave të Jashtëm gjatë mbledhjeve të organizatave ndërkombëtare.
Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë relativisht të vogla. Por, duke pasur një nivel të lartë të marrëdhënieve politike, qeveritë e të dy vendeve janë shprehur për rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik me qëllim tërheqjen e investime nga Luksemburgut në tregun shqiptar.