Ambasadorja Albana Dautllari, më 25 mars 2026, mori pjesë në konferencën e organizuar në Parlamentin e Rajonit të Brukselit, kushtuar historisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Belgjikë, me ftesë të deputetes me origjinë shqiptare, znj. Kristela Bytyçi. Aktiviteti i dedikohej 70-vjetorit të valës së parë të emigrimit të shqiptarëve në Belgjikë.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve belge, ndër të cilët Ministri i Brendshëm i Belgjikës, z. Bernard Quintin, Presidenti i Parlamentit të Brukselit, z. Bertin Mampaka, si dhe Presidenti i CPAS-OCMW (Qendra Publike për Mirëqenie Sociale), z. David Weytsman, si dhe shumë anëtarë të komunitetit shqiptar. Përfaqësuesit e lartë belgë theksuan rolin dhe kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë belge, si dhe vlerësuan nivelin e lartë të integrimit dhe angazhimit qytetar të tij.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Dautllari vlerësoi kontributin e rëndësishëm dhe të qëndrueshëm të komunitetit shqiptar në Belgjikë në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit pritës, duke theksuar rolin e tij si urë lidhëse në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Belgjikës. Ajo nënvizoi gjithashtu se znj. Kristela Bytyçi përfaqëson një shembull domethënës të integrimit të suksesshëm të komunitetit shqiptar në jetën politike dhe institucionale belge, si dhe të angazhimit aktiv në promovimin e vlerave dhe kontributit të tij.
Konferenca ofroi një pasqyrë të plotë të historisë së emigrimit shqiptar në Belgjikë, duke evidentuar zhvillimet kryesore dhe arritjet e komunitetit ndër vite, si dhe kontributin e tij në institucionet dhe shoqërinë belge.
Aktiviteti u shoqërua gjithashtu me një ekspozitë fotografike dhe prezantime tematike, të cilat pasqyruan përvojat e brezave të parë të emigrantëve shqiptarë dhe trashëgiminë e tyre të çmuar.


