Bruksel, 4 prill 2024 – Nga selia qendrore e NATO- në Bruksel, gjatë ceremonisë zyrtare për 75 vjetorin e Aleancës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se një lidhje e fortë euroatlantike, është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave.
“Si një komb i vogël, ne e kuptojmë thellë fuqinë e unitetit. Konkurrenca strategjike, kërcënimet e reja, fushatat kibernetike dhe dezinformuese, kërkojnë përshtatje. Ne jemi të inkurajuar nga fokusi në rritje i NATO-s në këto fusha, duke siguruar rëndësinë e saj të vazhdueshme në ruajtjen e së ardhmes sonë të përbashkët”, tha ministri Hasani.
Duke vlerësuar rolin e Aleancëa ndër vite, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme u ndal veçanërisht në rajon.
“Ju ruajtët jetën e njerëzve në rajonin tonë, jetën e njerëzve nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilët po përballeshin me spastrim etnik”, nënvizoi kryediplomati Hasani.
Fjala përshëndetëse e Ministrit Igli Hasani
Sekretar i Përgjithshëm, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, të nderuar kolegë, të nderuar të ftuar,
Sot, ne festojmë dy momente historike që qëndrojnë si dëshmi për fuqinë e qëndrueshme të unitetit dhe vlerave të përbashkëta.
Së pari, ne shënojmë 75 vjetorin e Aleancës sonë. Lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, NATO u ngrit si një fener paqeje dhe stabiliteti, e një mburojë për sigurinë kolektive të aleatëve. Filloi me dymbëdhjetë vende dhe Shqipëria për fat të keq ishte pas një perde të dyfishtë të hekurt, ishte Koreja e Veriut e Evropës dhe për tre çerek shekulli. Ju ishit shembulli se si të qëndronim të patundur, duke penguar agresionin dhe duke mbajtur vlerat që ne çmojmë: lirinë dhe demokracinë, të drejtën ndërkombëtare dhe dinjitetin njerëzor. Ju ruajtët jetën e njerëzve në rajonin tonë, jetën e njerëzve nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilët po përballeshin me spastrim etnik.
Së dyti, ne festojmë 15 vjet që kur Shqipëria u bashkua me këtë Aleancë historike. Ky moment kyç përmbushi një objektiv strategjik thelbësor për kombin tonë. Ndërsa ne vazhdojmë përpjekjet tona për integrimin në BE, Shqipëria mbetet një kontribuues i përkushtuar në NATO. Trupat tona qëndrojnë krah për krah me aleatët në misionet anembanë globit, një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur.
Bota me të cilën përballemi sot po evoluon vazhdimisht. Konkurrenca strategjike, agresioni i armatosur dhe kërcënimet e reja, fushatat kibernetike dhe dezinformuese, kërkojnë përshtatje. Ne jemi të inkurajuar nga fokusi në rritje i NATO-s në këto fusha, duke siguruar rëndësinë e saj të vazhdueshme në ruajtjen e së ardhmes sonë të përbashkët.
Si një komb i vogël, ne e kuptojmë thellë fuqinë e unitetit.
Një NATO e fortë, një lidhje e fortë euroatlantike, është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave që do të vijnë.
Le të angazhohemi të gjithë ndaj frymës së palëkundur të NATO-s dhe të sigurojmë fuqinë e saj të vazhdueshme përballë kërcënimeve në zhvillim.
Së bashku, me forcë dhe unitet, ne e përballojmë të ardhmen me besim.
Faleminderit.