“Grupi i Miqve të Përgjegjshmërisë”, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, mirëpret iniciativën për të siguruar përgjegjësi të plotë, sipas ligjit ndërkombëtar, për krimet e rënda të kryera në Ukrainë.
Gjatë takimit të posaçëm të mbajtur në Gjenevë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mbajti deklaratën në emër të “Grupit të Miqve të Përgjegjshmërisë për agresionin ndaj Ukrainës”, një grup ndër-rajonal i përbërë nga 47 shtete dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Ministri Hasani përgëzoi hetimet e pavarura të cilat sipas tij i tregojnë botës qartë shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga ana e Rusisë, duke përfshirë ligjin ndërkombëtar për humanitarizmin.
“Ne vlerësojmë punën e guximshme të organizatave të shumta ukrainase, të cilat pa u lodhur vazhdojnë të monitorojnë dhe dokumentojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar në vendin e tyre. Dëshmitë e tyre janë kontribute thelbësore në përpjekjet e përgjegjshmërisë. Kombet tona mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe popullin ukrainas, në luftën e tyre të palodhshme për liri dhe dinjitet. Ministër Kuleba, ne qëndrojmë pranë jush, krah për krah, ndërsa ecni në rrugën drejt drejtësisë, llogaridhënies dhe paqes”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Deklarata e përbashkët e “Grupit të Miqve të Përgjegjshmërisë për Agresionin kundër Ukrainës” u dha gjatë takimit anësor të nivelit të lartë: 10 vjet sulm nga Rusia ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në Ukrainë, i mbajtur gjatë sesionit të 55-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.