- BELGJIKA
Belgjika ka një sipërfaqe prej 30.528 km katrore dhe popullsi 11,6 milion banorë, ku përfshihet rajoni i Flandrës në veri të vendit, Valoninë në jug dhe Brukselin në qendër ku janë të vendosura tre komunitete gjuhësore ( flamand, valon, gjerman). Secili prej tyre ka qeverinë dhe parlamentin e vet. Organi më i lartë i zgjedhur direkt nga populli në nivel federal është Dhoma e Përfaqësuesve (Parlamenti) ndërsa Senatit përbëhet nga përfaqësues të parlamenteve të zgjedhura rajonale. Qeveria Federale belge ka kompetenca më të kufizuara se shtetet e tjera federale, sidomos pas reformës institucionale të vitit 2013. Belgjika është monarki kushtetuese federale parlamentare, ku Mbreti ka fuqi të kufizuara përfaqësuese dhe protokollare. Përpara përfundimit të Luftës së II Botërore, bashkë me Holandën dhe Luksemburgun, Belgjika krijoi BENELUKS, duke e bërë këtë të fundit model të bashkimit dhe integrimit politik e ekonomik për vetë BE-në.
MARRËDHËNIET BILATERALE
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Belgjikës u vendosën në vitin 1924, ato vazhduan në periudhën e Mbretit Zogu, për t’u ndërprerë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1945 kontaktet mes vendeve kanë qenë sporadike. Pas fillim viteve 90, marrëdhëniet mes dy vendeve patën një zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Marrëdhëniet dypalëshe politike mes Shqipërisë dhe Belgjikës cilësohen si shumë të mira. Belgjika ka mbështetur vazhdimisht dhe pa rezerva proceset demokratike dhe reformuese të vendit tonë, integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike, Pavarësinë e Kosovës, si dhe ndihma humanitare. Belgjika i ka ofruar mbështetje Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në BE, duke dëshmuar kështu qartësisht dhe hapur se është në favor të perspektivës evropiane të rajonit të BP dhe sidomos vendit tonë.
Veç mbështetjes politike dypalëshe dhe në organizmat shumëpalëshe, bashkëpunimi i të dy vendeve synon fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore. Shqipëria dhe Belgjika bashkëpunojnë në çështje të ndryshme të natyrës bilaterale apo ndërkombëtare.
Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilateral. Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama, ka vizituar Belgjikën në mars të 2018, ndërkohë që Kryeministri belg, Charles Michel, vizitoi Tiranën në prill të po të njëjtit vit. Në qershor të 2019, MEPJ shqiptar ka zhvilluar një vizitë pune në Bruksel.
Mes dy vendeve mbahen konsultime të rregullta diplomatike, të cilat zhvillohen në mënyrë të alternuar në Bruksel e Tiranë, konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan në shtator 2022, në Bruksel.
Objektivat e politikës së jashtme belge ndaj Ballkanit, të shprehura në të gjitha forumet shumëpalëshe, synojnë që BP të kthehet në një zonë paqeje, stabiliteti dhe demokracie, ndaj Belgjika ka qenë dhe mbetet pa hezitim në favor të vijimit të dialogut dhe shkëmbimeve mes vendeve të BP. Belgjika synon dialog dhe kontakte të rregullta të niveleve më të larta me të gjitha vendet e rajonit duke ofruar gjithashtu përvojën dhe frymën e BENELUKSIT për nismat rajonale në Ballkan.
Për të dyja palët, përparësi të veçantë ka nxitja dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik/tregtar dhe investimeve belge në Shqipëri e në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në vija të përgjithshme, cilësohet se niveli i realizuar i shkëmbimeve ekonomike e tregtare ka potenciale të pa shfrytëzuara ende.
Marrëdhëniet ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve po ashtu kanë qenë të shpeshta, duke përfshirë edhe shkëmbimin e vizitave të nivelit më të lartë parlamentar dhe kontributin e Grupeve Parlamentare të Miqësisë.
Prania e një komuniteti të konsiderueshëm shqiptar në Belgjikë është tregues dhe faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve mes dy vendeve. Komuniteti shqiptar në Belgjikë luan një rol të rëndësishëm në zgjerimin e lidhjeve mes dy vendeve. Autoritetet belge në bashkëpunim me diasporën shqiptare, mbështesin përpjekjet e autoriteteve shqiptare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona.
Shqipëria dhe Belgjika nxisin shkëmbimet në fushën e kulturës dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet artistëve në mënyrë reciproke, me synim intensifikimin e kontakteve për të njohur më mirë kulturën dhe traditat e njëri tjetrit.
- LUKSEMBURGU
Luksemburgu, zyrtarisht Dukati i Madh i Luksemburgut ka një popullsi prej 524.853 dhe një sipërfaqe prej 2586 km2 . Qendrat më të njohura janë Diferdanzh, Esh dhe Belvare. Luksemburgu ndahet në tri njësi administrative të quajtura Distrikte dhe vetë këta të fundit ndahen në 12 kantone.
Luksemburgu është një shtet me demokraci përfaqësuese me një monark kushtetues, që udhëhiqet nga Duka i Madh, i vetëm që ka mbetur në botën e sotme. Vendi është shume i zhvilluar, me një ekonomi moderne dhe me GDP nga më të lartat në botë. Luksemburgu është një nga 6 vendet themeluese të Bashkimit Evropian.
Gjuhët zyrtare janë tre (frëngjisht, gjermanisht dhe luksemburgisht).
Marrëdhëniet dypalëshe
Luksemburgu në mënyrë konstante është vend mbështetës i Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kuadër, Shqipëria ka marrë mbështetje konkrete dhe inkurajim të vazhdueshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Në të gjitha takimet e nivelit të lartë, autoritetet e Luksemburgut kanë vlerësuar përparimin e arritur nga Shqipëria dhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre në këtë drejtim.
Luksemburgu përkrah dhe mbështet të gjitha iniciativat për stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajonin tonë. Në këtë kuadër, Luksemburgu ka mbështetur plotësisht iniciativat rajonale dhe takimet kushtuar Ballkanit Perëndimor, në veçanti rolin e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare në këtë drejtim.
Marrëdhëniet diplomatike dypalëshe janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara. Ato kanë njohur vazhdimisht zhvillim, veçanërisht në kuadër të angazhimit të qeverisë së Luksemburgut ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dialogu politik është pjesë e agjendës së dy qeverive, për të cilin punojnë të dy palët. Shqipëria dhe Luksemburgu po ashtu bashkëpunojnë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, gjithashtu kanë ndërveprim si dy vende anëtare të NATO-s dhe shkëmbejnë mendime edhe për mjedisin e sigurisë në rajon.
Takimet e nivelit të lartë gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar, kështu përmendet vizita e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, në Luksemburg në shkurt 2024, Vizita e Kryeministrit të Luksemburgut Sh.T.Z. Xavier Bettel në Tiranë në gusht 2022. Po ashtu, Ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë vijuar kontakte periodike, si vizita e Ministrit Asselborn në Tiranë, tetor 2017, vizita e MEPJ Bushati në Luksemburg në shtator të 2018, konsultimet diplomatike mes dy MPJ-ve, si dhe një seri takimesh mes Ministrave të Jashtëm gjatë mbledhjeve të organizatave ndërkombëtare.
Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë relativisht të vogla. Por, duke pasur një nivel të lartë të marrëdhënieve politike, qeveritë e të dy vendeve janë shprehur për rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik me qëllim tërheqjen e investime nga Luksemburgut në tregun shqiptar.