Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Raisina Dialogue 2024”, në Nju Delhi të Indisë, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström.
Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e Suedisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, teksa theksoi rëndësinë e forcimit dhe intensifikimit të procesit të afrimit të të gjitha vendeve të rajonit me BE.
Sipas kryediplomatit shqiptar, anëtarësimi i Suedisë në NATO do ta bënte NATO-n më të fortë dhe do të nënvizonte rëndësinë dhe suksesin e politikës së dyerve të hapura.
Bisedimet mes dy ministrave u fokusuan në çështje të bashkëpunimit dypalësh, ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE, mbështetja e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, zhvillimet gjeopolitike dhe situata e sigurisë në botë.