Lajmi është dhënë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, sipas të cilit ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, u shpreh ministri Hasani.
Shqipëria është anëtarësuar në KiE në 13 Korrik 1995 dhe është në procedurë monitorimi që atë vit. Që nga viti 1995 deri më sot janë miratuar 6 raporte monitorimi (1997, 2000, 2004, 2007, 2010, 2014), ndërkohë që çdo vit mes raporteve janë miratuar Nota informuese vjetore. Tre çështje shqetësuese të ngritura pothuaj në çdo raport kanë qenë kryesisht të lidhura me të drejtat e minoriteteve, korrupsioni dhe sistemi drejtësisë tepër i dobët.
Duke marrë parasysh se 10 vjetët e fundit është bërë progres domethënës pikërisht në të tre çështjet e mësipërme, reforma në drejtësi, miratimi i ligjit për minoritetet në 2017 dhe vlerësime në luftën kundër korrupsionit, ku më domethënëse dhe indikator pozitiv është vendimi i mekanizmit të KiE për monitorimin e pastrimit të parave – MONEYVAL, i cili vendosi në tetor 2023 të nxjerrë Shqipërinë nga lista gri (pas 3 vjetësh në këtë listë), krijuan momentin kritik për të zhvilluar një fushatë bindëse në Asamble që Shqipëria të dalë nga kjo fazë ku ka qenë peng për 29 vjet.
Siç vihet re edhe më sipër periudha e monitorimit për Shqipërinë ka qenë çdo 3-4 vjet por arsyeja përse nuk ka ndodhur monitorim tjetër nga 2014 deri më sot, justifikohet me faktin e pamundësisë për shkak të tërmetit në 2019 dhe më pas me pandeminë COVID19.
Në projekt raportin aktual, vihen re nota vlerësuese sidomos për reformën në drejtësi dhe miratimin e ligjit për minoritetet në 2017 si çështje që adresojnë shqetësime të hershme të Komitetit. Gjithashtu vlerësohet se ka pasur përparim në luftën kundër korrupsionit duke iu referuar edhe rezultateve të institucioneve të reja të drejtësisë. Të gjitha këto i japin Shqipërisë mundësinë që të kalojë në fazën tjetër, që është domethënëse sa i takon njohjes së arritjeve të Shqipërisë dhe përparimit që ka bërë në forcimin e shtetit ligjor.
Dalja në Post-Monitorim përbën gjithashtu një kontribut shtesë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, dhe indikator i seriozitetit të vendit tonë për adresimin e rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare.