Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada, së bashku me anëtarë të komunitetit shqiptar, mori pjesë për herë të parë në Panairin e 28-të të “Udhëtim dhe Pushime”, mbajtur në Otava. Ky event dy ditor ofroi një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar Shqipërinë dhe potencialin e saj turistik për publikun kanadez.
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, Znj. Artemis Malo, mbajti një seminar me titull “Ëndërro, Eksploro, Zbulo Shqipërinë”, ku promovoi vendin tonë brenda katër formave kryesore të turizmit: Det dhe Diell, Mal dhe Ushqim, Histori dhe Arkitekturë, dhe Energji.
Ekspozita e organizuar përfshiu një gamë të gjerë produktesh dhe promovoi atraksionet turistike të Shqipërisë, duke lënë një mbresë të thellë te vizitorët. Gjatë eventit, u theksuan peisazhet befasuese, trashëgimia kulturore e gjallë dhe destinacionet të cilat janë të paharrueshme për çdo udhëtar.
Pikat kyçe të seminarit theksuan natyrën unike të Shqipërisë dhe mikpritjen e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, të rrënjosur thellë në diversitetin kulturor dhe ngrohtësinë e tij.
Po ashtu, u prezantua vijë bregdetare mahnitëse e Shqipërisë, e cila është një destinacion kryesor për ata që kërkojnë një përvojë të paharrueshme, duke kombinuar aventurën dhe relaksimin.
Pjesëmarrësit u shijuan gjithashtu me muzikë tradicionale shqiptare, ku valltarët e rinj ndriçuan sallën me tinguj kombëtarë. Ushqimi tradicional dhe pijet nga Shqipëria ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e këtij eventi, duke shprehur krenarinë e çdo familjeje shqiptare dhe vlerësimin maksimal të çdo vizitori.