Në vijim të aktiviteteve për promovimin e turizmit, tregtisë, kulturës dhe kulinarisë shqiptare, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada mori pjesë në edicionin e 27-të të panairit “Celebration of Cultures”, organizuar nga Algonquin College dhe Shoqata e Studentëve të Algonquin.
Ky event, që është edicioni i tretë i këtij lloji për përfaqësinë tonë, kishte si qëllim promovimin e kulturave të vendeve të ndryshme.
Në kuadër të këtij panairi, Ambasada, së bashku me përfaqësitë e tjera diplomatike të akredituara në Otava, solli një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, duke prezantuar pasuritë kulturore, historinë, dhe destinacionet turistike të Shqipërisë.
Gjatë panairit, u bë një ftesë e hapur për studentët ndërkombëtarë që të vizitojnë Shqipërinë dhe të eksplorojnë më nga afër bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë, duke theksuar mundësitë që ofron Shqipëria si një destinacion turistik i pasur dhe tërheqës.