Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Znj. Artemis Malo, ishte e ftuar në darkën e organizuar nga Ambasadorja e Suedisë, Znj. Signe Burgstaller, dhe Ambasadori i Letonisë, Z. Kaspars Ozolins, në nder të Komandantit të Komandës së Operacioneve të Përbashkëta, Z. LGen Steve Boivin.
Në këtë ngjarje, biseda u fokusua në kontributin e shteteve anëtare të NATO-s dhe eksperiencat e ndryshme që ato kanë në kuadër të angazhimeve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ambasadorja Malo, në emër të Qeverisë Shqiptare, shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në këtë fushë dhe mirënjohjen për kontributin e Letonisë dhe Suedisë në rajon, duke përmendur veçanërisht praninë e trupave të Letonisë në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin Euroatlantik.
Ajo gjithashtu theksoi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar për më shumë se 7 vjet në shërbim të sigurisë së NATO-s në Letoni, ku ekspertët shqiptarë të EOD (Explosive Ordnance Disposal) janë të angazhuar në mbrojtjen e kufijve lindorë të Aleancës, duke kontribuar në forcimin e sigurisë në Camp Adazi, Letoni.
Në fund, Ambasadorja shprehu krenarinë për sakrificën e major Klodian Tanushit dhe nëntetare Zerife Hasanajt, të cilët ranë në krye të detyrës gjatë angazhimit të tyre në misione të sigurisë, duke shërbyer me nder dhe duke bërë të mundur mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë në misionet e NATO-s.