Në pritjen e dhënë në Otava me rastin e festës sonë kombëtare ishin ftuar dhe morën pjesë krerët e misioneve diplomatike, senatorë, anëtarë të parlamentit, zyrtarë të Departamentit të Punëve të Jashtme, Tregtisë dhe Zhvillimit dhe institucioneve të tjera, përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit, si edhe miq të Shqipërisë.
Krahas Ambasadorit Muça, i cili gjatë fjalës së tij, veç të tjerash, vuri theksin në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, të pranishmit i përshëndeti z. Rob Oliphant, anëtar i parlamentit, Sekretar Parlamentar i Ministrit të Punëve të Jashtme, si edhe znj. Julie Dabrusin, anëtare e parlamentit, kryetare e grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada – Shqipëri dhe Sekretare Parlamentare e Ministrit të Burimeve Natyrore dhe e Ministrit të Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike.
Z. Oliphant përcolli urimet e Ministres së Punëve të Jashtme të Kanadasë dhe duke shprehur konsideratat më të larta për miqësinë dhe lidhjet me Shqipërinë, i vlerësoi si shumë të mira, të forta dhe të qëndrueshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me impakt në zgjerimin në vijimësi të bashkëpunimit si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Ndër të tjera, ai vlerësoi rolin konstruktiv të vendit tonë në rajon, rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si edhe përparimin e shënuar nga vendi ynë dhe mbështetjen e Kanadasë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Znj. Dabrusin vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, si edhe u ndal në aspektin e diplomacisë parlamentare dhe rolin e komunitetit shqiptaro-kanadez, urë e fortë lidhjeje ndërmjet dy vendeve.
Performanca nga z. Qazim Kallushi dhe znj. Entela Galanxhi e veprave nga kompozitorët tanë, u mirëprit nga të pranishmit të cilët patën rastin të njiheshin edhe me bukuritë natyrore dhe atraksionet turistike të vendit tonë, të shfaqura nëpërmjet ekranit. Po nëpërmjet ekranit u përcoll edhe “Himni Kombëtar” dhe “O Canada”, realizuar nga kori i fëmijëve shqiptaro-kanadezë “MGT”.