Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, Znj. Artemis Malo, mori pjesë me nder në mbrëmjen tradicionale të organizuar nga Xhamia Shqiptare e Torontos dhe Komuniteti Mysliman në Kanada me rastin e Fitër-Bajramit. Ky event i shënuar bashkoi shqiptarët e Torontos për të festuar fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe për të ndarë bekimet me njëri-tjetrin.
“Zoti ju pranoftë sakrificat! Bekime paçi në familjet shqiptare! Të bashkuar qofshim nga çdo krahinë!”, tha Ambasadorja gjatë fjalës së saj. Ajo theksoi se besimi fetar është një burim i krenarisë për unitetin tonë dhe një forcë që na bashkon si komb.
“Uniteti nuk do të thotë uniformitet, por një komb i bashkuar dhe me respekt reciprok brenda lirive të zgjedhjeve të gjithsecilit. Shtëpia e Shqiptarit është e mikut dhe e Zotit!”, u shpreh ajo, duke theksuar vlerat e dashamirësisë, mikpritjes dhe bashkëjetesës harmonike.
Falenderim i thellë për këtë aktivitet dinjitoz, i cili u shoqërua me akte të shumta bamirësie, që pasqyrojnë vlerat e shenjta të besimit dhe solidaritetit.