Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, ka nisur një seri takimesh në provincën e British Columbia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor midis Shqipërisë dhe Kanadasë.
Vizita e parë u zhvillua në ambientet e Universitetit British Columbia, ku Ambasadorja u prit nga Dr. Genc Basha, MD, PhD, një kirurg i dalluar dhe shkencëtar kërkimi në grupin e Nanomedicinës pranë Institutit të Shkencave të Jetës dhe Programit të Mjekësisë. Dr. Basha është një akademik me një eksperiencë të gjatë profesionale, e cila ka nisur nga Shqipëria, vijuar në Belgjikë dhe më pas u zhvillua në Kanada.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe sugjerime për projekte të përbashkëta dhe mundësi bashkëpunimi në fushën akademike dhe kërkimit shkencor, duke kontribuar kështu në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.
Puna dhe përkushtimi profesional i Dr. Bashës është një shembull i shkëlqyer i historisë së suksesshme të shqiptarëve në Kanada.